”Miti i të paprekshmëve është rrëzuar”, Rama në sy të Blinken: Falë SHBA-së, njerëz me pushtet thirren para ligjit

Drejtësia e re dhe që figurat e larta politike po përgjigjen përpara ligjit, është një nga pikat që preku kryeministri Edi Rama gjatë konferencës për shtyp me sekretarin Amerikan të Shtetit. Ai tha se kjo reformë është bërë falë Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe aleatëve të tjerë. Sipas tij, tashmë miti i pandëshkueshmërisë është rrëzuar dhe këtu nuk ka ndasi nëse janë në qeveri apo në opozitë.

”Dua ta falënderoj publikisht për çka në mënyrë të përsëritur kemi thënë me miqtë amerikanë, për mbështetjen e pazëvendësueshme për transformimin e Shqipërisë nga një vend që nuk ka pasur drejtësi dhe kultura e pandëshkueshmërisë ishte standardi, që i bënte qytetarët e këtij vendi të besonin se asnjëherë ligji nuk do të ishte i barabartë, duke na mundësuar që sot ne të shohim që jo, edhe në Shqipëri, është e mundur që njerëz me pushtet të lidhur edhe me pushtetin ekzistues ekzekutiv të thirren për të dhënë llogari para ligjit, për shkelje të ligjit.

Kur nisëm përpjekje për reformën në drejtësi dhe morë mbështetjen nga aleatët tanë, të gjitha anketimet gjenin mbështetje masive pavarësisht përkatësive politike, të majtë dhe të djathtë e mbështesnin reformën në drejtësi. Nuk është sekret që këtu ne kemi problem të gjejmë konsensus, nëse pyesni sa është ora, kemi një orë të majtë, të djathtë dhe të qendrës. Pyetjes nëse ata që mbështesin reformën në drejtësisë do të shikonin njerëz të pushtetshëm para drejtësisë shumica i përgjigjeshin jo. Jetojmë në një kohë ku miti i të pushtetshmit mbi ligjin është rrëzuar, por ka shumë punë për të bërë akoma.

Nëse sot ka një arsye të rëndësishme për të qenë më të bindur se asnjëherë tjetër për vlerën e këtij partneriteti, është angazhimi i partnerëve tanë strategjikë në ndihmë për të ndryshuar një faqe të historisë së Shqipërisë që dukej e pandryshueshme për gjithë jetën”.

SHKARKO APP