Miting për nisjen e fushatës pa dhënë ende një vendim Komiteti, Vasili: Makabritet, pse nesër do mbarojë pandemia?!
Nënkryetari i LSI-së Petrit Vasili ka qenë i ftuar në studion e lajmeve të Fax News, ku ka komentuar pritshmëritë e fushatës elektorale që starton që nga dita e nesërme. Vasili tha se opozita nuk ka bërë asnjë provokim, dhe se pas humbjes së pushtetit Edi Ramën e pret një përballje me drejtësinë, për keqqeverisjen që i ka bërë vendit.
‘Nuk ka provokime që vijnë nga opozita, ne kemi mbajtur qëndrime të forta, dhe kemi denoncuar të gjitha rastet në prokurori. Në Elbasan ishte një provokim i hapur nga Edi Rama, është një horr mes horrave, me to humbjen e thellon akoma dhe më shumë, pasi mijëra qytetarë kërkojnë një fushatë ku të dëgjojnë alternativa. Humbja e pushtetit të Edi Ramës, pason me një frikë dhe ndëshkim pas dere’, tha Vasili.
Numri 2 i LSI-së komentoi dhe lajmin e dhënë nga mediat fillimisht, se PS do të mbajë nesër mitingun e çeljes së fushatës, edhe pse Komiteti i Ekspertëve nuk ka ende një vendim për lirimin e masave. Vasili tha se ky ishte shembulli më tipik, sesi pandemia në vendin tonë është drejtuar nga politika dhe jo nga shkencëtarët.
“Kur kam parë lajmin që nesër do të ketë një miting PS-ja, natyrshëm që konsultova disa burime në media, dhe jam pa gojë. Komiteti nuk është shprehur, ju shihni që sot kanë qenë vetëm 700 gjoba, dhe ende nuk është marrë një vendim, atëherë Edi Rama i merr vendimet për pandeminë?
Pra qytetarët që janë gjobitur sot, nesër nuk do të gjobiten, pse mbaron pandemia nesër. Kjo është makabre, ju e dini që 9 mijë vdekje janë fshehur nga qeveria, që janë qartësisht të lidhura me Covid. Ky ishte fakti përfundimtar që tregon se pandemia ka qenë e trajtuar vetëm për lojëra politike.
Nuk mund të lihej asnjë miting sot në rast se Komiteti nuk ka dalë dhe të jetë shprehur për lirimin e masave. Vetë Komiteti na tha disa ditë më parë që në vendin tonë ka hyrë varianti britanik, që qarkullon me shpejtësi më të madhe”, tha Vasili.