Afrim Krasniqi: Nuk na e ka fajin Holanda, por qeveria jonë!

Nga Afrim Krasniqi –

Teza se ndonjë vend europian po mban peng Shqipërinë apo është kundër Shqipërisë dhe se kanë hallin e zgjedhjeve të tyre, është jo vetëm ushqim parademokratik për militantët e facebook-ut, por edhe artikulim i pasaktë, provokues dhe abuziv. E vërteta është tjetër dhe shumë më e thjeshtë për tu kuptuar: në mars 2020 BE vendosi të nisë negociatat e anëtarësimit për Shqipërinë. Në dokumentin zyrtar theksohet se konferenca e parë do të ndodhë kur të plotësohen 6 kritere, duke i cilësuar nominalisht ato. Dy prej tyre, – kriteri për Gjykatë Kushtetuese funksionale dhe vendimmarrësë, dhe kriteri për hetimin e vendimmarrjen mbi dosjet VIP që lidhen me krimin e organizuar dhe zgjedhjet, – nuk janë përmbushur ende. Shqipëria sot nuk ka gjykatë kushtetuese funksionale dhe vendimmarrëse dhe këto e di çdo qytetar, përfshirë kryeministri, presidenti apo kryetari i opozitës. Shqipëria nuk ka asnjë person VIP të dënuar nga drejtësia dhe kjo është e njohur për këdo, ndërkohë që dosjet, akuzat, faktet janë aty, në pritje të hetimit dhe gjykimit. Për më tepër, 6 kushteve qeveria shqiptare i krijoi vendit një pengesë të re, paketën anti-shpifje. E kritikoi BE dhe çdo zë civil në Tiranë, nuk u dëgjuam, më pas e kritikoi edhe Komisioni i Venecias. Mazhoranca pranoi rekomandimet dhe premtoi të bëjë ndryshimet, të cilat ende nuk kanë ndodhur.

Pra, kur thuhet se Holanda, Franca, Spanja, Danimarka dhe pjesërisht Gjermania, janë kritike ndaj bilancit jo të plotë për të shkuar në zhvillimin e konferencës së parë BE-Shqipëri, nuk kemi të bëjmë me temë të luftës politike e elektorale në këto vende, as me vende që janë kundër Shqipërisë dhe as me shtete që nuk duan të na shohin në progres e integrim. Tri prej tyre janë ndër vendet kryesore donatore të BE ndaj Shqipërisë dhe të gjitha ato na kanë votuar unanimisht më 25 mars 2020.

Autokratët e Tiranës, të cilët duan më shumë partinë se Shqipërinë, pushtetin personal sesa interesin publik dhe që mbajnë në këmbë një sistem propagande që të kujton periudhën përpara ’90, që nuk pranojnë as përgjegjësi dhe nuk bëjnë as transparencë dhe as llogaridhënie, – duhet të jenë të ndershëm me qytetarët e tyre, por edhe me vendet aleate perëndimore. Kushtet janë aty, bilanci nëse janë realizuar është publik, alibia e viktimizimit është në fakt ikje nga përgjegjësia dhe përballja me realitetin.

Ndaj miq, le të ikim nga tradita negative e shpikjes së armiqve imagjinarë në Berlin apo Paris, në Madrid apo në Kopenhagën, në Amsterdam apo në Athinë; problem ynë është në Tiranë, ka qenë dhe është në Tiranë, dhe siç duhet, do të jetë edhe në të ardhmen në Tiranë. Shikoni ligjërimin politik në Tiranë: askush nuk flet për reforma apo integrimin, por me ligjërim konfliktual personal të duket se ca “djem problematikë” po e çojnë vendin në një përplasje tjetër të re! Kemi 2-3 individë “të fort”, por jo institucione funksionale. Një parlament serioz, një qeverisje serioze, një opozitë serioze, një media serioze dhe një shoqëri civile serioze në një shoqëri serioze do ta kishte kuptuar tashmë këtë dhe do të kishte reaguar me forma e mekanizma institucionalë e civilë, për të ndikuar në zgjidhjen e problemit, i cili si dje edhe sot është vetëm këtu, në Tiranë, duke na dhënë shfaqje ditore populiste marrëzish e batutash pa thelb, pa produkt, pa vizion dhe pa sens përgjegjësie ndaj shtetit, shoqërisë dhe qytetarëve.

SHKARKO APP