Mjekët kundër arrestimit të bluzave të bardha: Mos na trajtoni si kriminelë!
Mjekët e spitalit të Traumës kanë dalë në protestë në shenjë revolte për arrestimin e 2 kolegëve të tyre, Serdi Memini, 34 vjeç, me profesion mjek kirurg ortoped dhe Ervin Sulaj, 45 vjeç, me profesion mjek anestezist reanimator pranë Spitalit të Traumës, të cilët akuzohen për korrupsion pasi dyshohet se kanë marrë ryshfet për operacionin e 17-vjeçarit Elmidin Dylit, që u plagos në masakrën e Velipojës.
Tubimi zhvillohet nën moton “mos na trajtoni si kriminelë”.
Arrestimi i mjekëve ka revoltuar kolegët, të cilët të mbështetur nga Sindikata e Punonjësve të Shërbimit Shëndetësor, personeli i Spitalit Ushtarak Tiranë ka organizuar një tubim në sheshin qendror të këtij spitali, me qëllim reagimin ndaj burgosjes që sipas tyre është abuzive dhe në kundërshtim me ligjin.
Në deklaratën e Sindikatës së Punonjësve të Shërbimit Shëndetësor thuhet se ajo distancohet nga çdo lloj veprimi abuziv dhe korruptiv që mund të kryhet në emër të dhënies së shërbimit shëndetësor nga bluzat e bardha, por nuk mund të lejojë që këto bluza të bardha të cilat shpëtojnë jetën e njerëzve pa bërë dallimin nëse janë të bardhë apo të zinj, të kuq apo blu, të trajtohen njësoj sikurse kriminelët të cilët marrin këtë jetë të çmuar për secilin nga ne.
Ky tubim duket se do të vijojë çdo ditë. Mjekët kanë nisur një protestë, që do të vijojë çdo ditë nga ora 09:00-10:00. Sipas mjekëve, arrestimet janë të dënueshme për nga mënyra si ato po aplikohen, pasi sipas tyre, arrestimet e mjekëve kanë qenë të pafaktuara. Pa folur akoma gjykata, është bërë arrestimi i mjekëve, duke i trajtuar ata si kriminelë me rrezikshmëri të lartë. Mjekët kërkojnë që të reflektohet edhe në Kod, që ata të mos trajtohen si kriminelë. Sipas tyre, mjekët nuk duhen prangosur, pa u faktuar akuza. Në protestë janë të gjithë mjekët, që nuk e pengojnë shërbimin në spital. Puna brenda spitalit vijon normalisht.
“Nuk e sheh të vlerë ndalimin e një mjeku që nuk paraqet rrezikshmëri shoqërore, por e konsideron të përshpejtuar vendin për masën e sigurisë, s’ka prova. Mjekët nuk kanë rrezikshmëri të lartë shoqëri, nuk manipuloljnë provat apo të largohen se në atë rast do i humbin gjithçka, ndalimet apo arrestimet me show mediatik pa asnjë prova janë abuzive. Pas këtij organizimi do mblidhemi dhe do shqyrtojmë se çdo bëjmë, do e përshkallëzojmë apo jo“, thanë mjekët në deklaratë.
“Nuk dua që t’i heq prononcimit që bëri kolegu pak më parë, Rama para disa vitesh ka thënë që problem në Shqipëri për korrupsionin është sistemi dhe jo individi, pra jam sot këtu për të protestuar për mënyrën e zgjidhjes së problemit, nuk është zgjidhje, zgjidhja është reformë e thellë, jo partiake dhe ajo që ka premtuar Rama është autonomia spitalore. Njerëzit kanë dhënë bakshish dhe do vijojnë të japin, problem është sistemi“, tha një tjetër mjek.