Mjeku i njohur, Tritan Kalo: Ja me çfarë i kurojmë të sëmurët me koronavirus (FOTO)
Mjeku i njohur Tritan Kalo, i vetofruar për të dhënë ndihmën e tij në spitalin Infektiv me qëllim përballimin e situatës emergjente shëndetësore, si pasojë e koronavirusit përveç këshillave, jep edhe informacione të dobishme.
Në profilin e tij në Facebook, mjeku Kalo na ka treguar edhe kurën që po përdoret te pacientët me qëllim shërimin e tyre. Mund të shihni se barnat janë ato që po përdoren sot edhe në Itali.
“Mbrëmje në shërbimin e Sëmundjeve Infektive”, tregon Prof.Dr.Tritan Kalo.
“Jemi këtu në krye të detyrës së bashku me Prof. N.Çomon, Dr. N. Kryemadhin, Dr. M. Qaton, Dr. Dr.A. Domin, Dr. A. Hoxhën si dhe një grup dijeplotë e vullnetplotë infermierësh, të mbështetur nga sanitaret, koordinatoret, etj. -vijon Kalo dhe përsërit një thirrje për besim ndaj mjekëve:
“Bashkëqytetarë, ju duhet të bindeni se ato çka lexoni në shtypin botëror në lidhje me mundësitë më të fundmit terapeutike të mjekimit, të të gjitha formave klinike të COVID-19 edhe ne po ua ofrojmë të sëmurëve tanë, për të bërë të mundur shpëtimin e jetëve të tyre.
Nuk na mungojnë mjetet për t’u shërbyer, por mbi të gjitha ju sigurojmë se nuk na mungon humanizmi, dija e vullneti ynë për të bërë gjithçka të mundshme në luftën për jetën e të sëmurëve tanë.
Ju duam shumë na mirëkuptoni dhe na mirëbesoni. Njëkohësisht ajo çka na frymëzon është edhe fakti se, solidariteti dhe mbështetja e kolegëve mjekë e infermierë nuk na mungon. Bashkërisht ne do t’ia dalim mbanë!”