Modeli italian s’bën për Shqipërinë, Bylykbashi i kthehet Gjiknurit: Këto justifikimet e tua, njësoj si hapja fallso e listave
Përfaqësuesit e Opozitës së Bashkuar në Këshillin Politik, Oerd Bylykbashi dhe Petrit Vasili kanë dalë në një konferencë urgjente shtypi në selinë e Partisë Demokratike. Duke marrë shkas nga deklaratat e kryeministrit, Bylykbashi deklaroi se me ndryshimet e njëanshme të rregullave të zgjedhjeve, kanë për qëllim reduktimin e humbjes së Edi Ramës në zgjedhjet e 25 Prillit të vitit të ardhshëm.
Përfaqësuesi i PD-së në Këshillin Politik deklaroi se asnjë truk dhe asnjë tentativë e Edi Ramës nuk do ta ndalë fundin politik të kësaj maxhorance në 25 prill dhe fitoren e opozitës në zgjedhje, pasi siç tha ai, sidoqë ta bëjë sistemin, opozita i fiton zgjedhjet e ardhshme.
Po ashtu, teksa komentoi dhe draftin e PS-së për Kodin e ri Zgjedhor, eksperti i PD-së theksoi se nene te veçanta të Kodit që do të miratohen sot në Kuvend, bien ndesh me rekomandimet e OSBE/ODIHR-it.
Nga ana tjetër, ish-ligjvënësi demokrat rrëzoi dhe tezën e Edi Ramës për “modelin shqiptar të koalicioneve”, ku Bylykbashi tha se ky model në hapësirën e Bashkimit Europian përdoret nga Italia.
Por kjo u kundërshtua nga përfaqësuesi i PS-së Këshillin Politik, Damian Gjiknuri, i cili tha se modeli italian nuk është për rastin e Shqipërisë.
Por përgjigjen për këtë qëndrim Gjiknuri do ta merrte sërish nga Oerd Bylykbashi, i cili përmes rrjeteve sociale thekson se modelet demokratike ekzistojnë, por model që të shpëtojë Edi Ramën nga humbja ne nuk gjejmë dot.
“Modelet demokratike ekzistojnë, por model që të shpëtojë Edi Ramën nga humbja ne nuk gjejmë dot. Këtë kërkon Edi Rama nga Këshilli Politik dhe për këtë ai është gati të sakrifikojë Shqipërinë.
Modelet t’i kemi thënë që ditën e parë, por kur t’i shkelje një marrëveshje për të cilën u investua nga Sekretari i Shtetit i SHBA-së tek drejtuesit më të lartë të BE-së, këto as i sheh as i dëgjon.
Këto justifikimet janë njësoj si hapja fallso e listave”, shprehet Bylykbashi.