Mogherini-Nishani: Shqipëria, mike e BE

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani priti në një takim të veçantë Përfaqësuesen e Lartë për Marrëdhëniet me Jashtë dhe Politikat e Sigurisë të Bashkimit Evropian dhe Zëvendëspresidenten e Komisionit Evropian, znj. Federica Mogherini.

Presidenti Nishani shprehu kënaqësinë për zhvillimin e kësaj vizite në Tiranë dhe i përcolli zonjës Mogherini përshëndetjet e përzemërta në emër të të gjithë qytetarëve shqiptarë. Presidenti vlerësoi gjithashtu mesazhin shumë të rëndësishëm dhe frymëzues që Përfaqësuesja e Lartë përcolli në Kuvendin e Shqipërisë, me besimin se do të ngjallë një reflektim pozitiv të përfaqësuesve politikë në Parlament.

Kreu i Shtetit e siguroi zonjën Mogherini se integrimi evropian është jo vetëm projekti më madhor për shqiptarët, por edhe alternativa e vetme që shqiptarët kanë zgjedhur për të ardhmen e tyre. Presidenti vuri në dukje se integrimi është një proces që i shërben vendit dhe qytetarëve, dhe se 5 prioritetet kyçe mbeten një busull e shkëlqyer orientimi për reformat që duhet të çohen përpara.

Swiss Digital Desktop Reklama

Presidenti Nishani theksoi se reforma në drejtësi dhe lufta pa kompromis ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe reforma të tjera në fusha kyçe janë me rëndësi jetike për të ardhmen e qytetarëve shqiptarë dhe zhvillimin e mëtejshëm të vendit. Në këtë kontekst, Kreu i Shtetit shqiptar vlerësoi të gjithë angazhimin dhe investimin e madh që institucionet evropiane kanë bërë në të gjitha drejtimet. Presidenti kërkoi që nëpërmjet këtij angazhimi të mund të përcillen në Shqipëri modelet më të mira e të suksesshme evropiane të cilat do të mund të garantonin suksesin e reformave në vend.

Swiss Digital Mobile Reklama

Më tej, Kreu i Shtetit vuri në dukje angazhimin e Shqipërisë në sfidat madhore që lidhen me luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit, duke qëndruar besnikërisht krah për krah partnerëve tanë.

Po kështu një vend të posaçëm në takim zuri edhe politika rajonale dhe kontributi i Shqipërisë për thellimin e zgjerimin e bashkëpunimit rajonal, në dobi edhe të proceseve respektive të integrimit në vendet tona.

Përfaqësuesja e Lartë Mogherini vuri në dukje se e viziton Shqipërinë si një mike, dhe se Bashkimi Evropian mbetet i përkushtuar për të vazhduar ndihmën në funksion të reformave kyçe për vendin. Zonja Mogherini theksoi se vendosja e besimit ndërmjet qytetarëve dhe institucioneve është shumë e rëndësishme, dhe se Bashkimi Evropian do të bëjë çdo përpjekje për të ecur përpara në këtë drejtim.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A e liron Gjykata Kushtetuese nga burgu, Erion Veliajn?