”Mokra n’Fest në 23-24 gusht”, Rama ndan pamjet: Potkozhani premton një potencial të lartë turistik në të ardhmen
Pogradeci do të mirëpresë në 23-24 gusht ”Mokra n’fest”. Kryeministri Edi Rama teksa ka postuar një video, thotë se eventi do të mbahet në Potkozhan, vendlindjen e vëllezërve Zografi. Rama thekson se Potkozhani premton një potencial të lartë turistik në të ardhmen
”Mokra n’Fest vjen në edicionin e V-të të saj në datat 23-24 gusht, në Potkozhan, vendlindjen e vëllezërve Zografi. Një event i kthyer në një traditë tashmë që nxjerr në pah zakonet, kulturën, historinë dhe natyrën e kësaj perle shqiptare, që premton një potencial të lartë turistik në të ardhmen”,-shkruan Rama.
Edhe gjatë këtij edicioni traditat, zakonet, gatimet, sportet, lojërat, koncerti, shëtitjet me kuaj do të jenë pjesë e “Mokra n’fest”, organizuar nga bashkia e Pogradecit. Zona e Mokrës vlerësohet si një potencial turistik, kulturor dhe historik. Mokra njihet edhe si kryeqendra e mbretërisë së parë ilire. Dëshmitë historike monumentale tregohen përmes 5 varreve të Selcës në kodrën e quajtur Gradishtë.