Momenti kur policia arreston kreun e FRPD Shkodër, Spahia: Urdhër politik! (VIDEO)

Pas protestës së qytetarëve kundër marrjes së pushtetit vendor nga PS, policia ka arrestuar kreun e FRPD-së në Shkodër, Arvit Bushati. Shoqërimi i tij nga policia erdhi pas orëve të tensionit dhe përplasjeve të forcave të policisë dhe mbështetës të Partisë Demokratike, të cilët protestuan kundër konstituimit të këshillit bashkiak në Shkodër.

Burimet e policisë thanë se shoqërimi i përfaqësuesit demokrat është bërë për kundërshtimin dhe goditjen e policisë gjatë përpjekjes së qytetarëve për të çarë kordonin e forcave të rendit, të cilat ishin vendosur te Buiblioteka e Universitetit “Luigj Gurakuqi” gjatë konstituimit të Këshillit të ri Bashkiak.

Ish-deputeti demokrat i Shkodrës, Bardh Spahia, i cili gjithashtu ishte i pranishëm në momentin që policia mori në makinë Bushatin reagoi ashpër për mediat, duke deklaruar se shoqërimi është bërë me urdhër politik. Sipas tij vendi është në prag të diktaturës.

Bardh Spahia: Shqipëria po rrëshqet frikshëm drejt diktaturës dhe deri modeleve të shëmtuara të mbajtjes së pushtetit me dhunë dhe nëpërmjet përdorimit politik të policisë si formë reprezalje ndaj përfaqësuesve të opozitës. Ishte një ngjarje e shëmtuar për të cilën do të mbajnë përgjegjësi të gjithë personat përgjegjës, nga ata urdhëruesit politike deri tek zbatuesit e verbër të urdhrave politike të eprorëve të tyre.

Oficeri i policisë nuk kishte asnjë mandat nga prokuroria. Ishte një grabitje e mirëfilltë e kryetarit të Forumit Rinor nga civilë. Në përgjithësi është në frymën e përdorimit politik të policisë së shtetit për të frikësuar qytetarët e Shkodrës.

SHKARKO APP