“Mond Çekiçi”, ushtari i Lul Berishës që u ekzekutua sot në Durrës
Nuk ndalojnë vrasjet mafioze në Durrës. I ekzekutuari mëngjesin e sotëm në qytetin e Durrësit, Edmond Koçi, ose siç njihet ndryshe me nofkën “Mond Çekiçi”, njihet si një nga anëtarët më aktivë të bandës së Durrësit.
“Mond Çekiçi” konsiderohej nga policia e Durrësit si person me rrezikshmëri, pasi jo vetëm që është pjesë përbërëse e një klani kriminal në Durrës, por ai rezulton të jetë dënuar disa herë për akuzën e mbajtjes pa lejë të armëve dhe kundërshtimit të forcave të policisë. Në muajin maj 2009 Edmond Koçi, është dënuar me 2 vite burgim për akuzën e “Mbajtjes pa lejë të armëve”.
Në një raport të ministrisë së brendshme të botuar në vitin 2016, thuhej se “Mond Çekiçi”, është pjesë shoqërore me Lulzim Berisha “Luli”, Emiljano Shullazi “Mili”, Plarent Dervishaj “Lenti”, Marjel Fierza, Julian Meçaj, Bashkim Haxhiaj dhe persona të tjerë.
Nga të dhënat operative thuhet se “Mond Çekiçi” administron disa shërbime në portin e Durrësit, nëpërmjet disa kompanive, ku ai qëndron si pronar në hije.
`Mond Çekiçi` është arrestuar herën e fundit në 24 shtator nga policia e Durrësit për armëmbajtje pa leje, por është liruar në datën 8 tetor 2020.

KOHA JONË SONDAZH

