Monika Kryemadhi: Mirënjohje ndaj grave dhe vajzave vlonjate. Përballuan presionin dhe terrorin psikologjik të një kaste në ikje
Monika Kryemadhi ka qenë sot në Vlorë ku ka prezantuar kandidatët e LSI-së për deputetë. Kryemadhi tha se Vlora i ka dhënë identitet Shqipërisë.
Ajo falënderoi përfaqësueset dhe përfaqësuesit e LSI-së në këtë qark duke theksuar se iu është mirënjohëse pasi përballuan presionin dhe terrorin psikologjik të një kaste në ikje.
“Vetëm Vlora mund të bëjë këtë frymë, këtë entuziazëm, këtë forcë, këtë besim dhe këtë patriotizëm. Vlora është një qytet, që për hir të së vërtetës i ka dhënë identitet Shqipërisë, i dha pavarësinë Shqipërisë, i dha forcën Shqipërisë, i dha frymë, i dha jetë, por i dha edhe bukuri.
Vetëm në Vlorë mund të shikosh një mrekulli të jashtëzakonshme që Zoti ia ka dhënë, këtë diell, këtë atmosferë, që edhe shiu kur bie është i bukur, sepse edhe vlonjatët dhe vlonjatet janë të bukur. Por nuk iu ngel hatri sarandjotëve, sepse edhe Saranda është shumë e bukur dhe në fakt të gjithë jemi bërë xhelozë kur u bë ndarja administrative, kur u bashkua Vlora, Himara, Saranda e Delvina dhe ne thamë: Si mund të bashkohen dhe nuk ruajtën raportet që kanë ruajtur me qarqet e tjera. Por, aty kupton forcën, karakterin, mentalitetin, gjuhën, shpirtin, edhe ajo egërsi që kanë këto zona bregdetare, ngjitet dhe shprehet me dashuri njerëzore.
Unë në fakt ju jam shumë mirënjohëse të gjithëve. Ju jam shumë mirënjohëse grave dhe vajzave vlonjate, i jam mirënjohëse Shqiponjës, Junës, Monikës, të gjitha grave dhe vajzave, që në ditët më të vështira qëndruan në LSI, luftuan në LSI dhe mbi të gjitha përballuan, presionin, dhunën dhe terrorin psikologjik të një kafke në ikje,- deklaroi Kryemadhi.