Monika Kryemadhi: Policia kërcënon kandidatët e LSI-së. Kanë mbështetjen e Prokurorisë së Elbasanit
Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi, e ftuar në emisionin “Kjo javë” në “News 24” ka bërë edhe një denoncim, duke thënë se segmente të policisë po kërcënojnë kandidatët e LSI-së.
Kryemadhi theksoi se disa segmente të policisë kërcënojnë kandidatët e LSI-së në Elbasan dhe kanë edhe mbështetjen e Prokurorisë.
“Po të kishim prokurori, Edi Rama do të procedohej i pari penalisht, që thotë se të rinjtë duhet të ikin nga Shqipëria, duke bërë thirrje për shpopullim. Ne jemi një me PD-në. Ne jemi kudo, në pallate, në rrugica, në qytete dhe fshatra të Shqipërisë. Policia dhe Prokuroria ka ushtruar presion mbi kandidatët tanë.
Prokuroria e Elbasanit po pengon kandidatët tanë. Segmente të policisë kërcënojnë kandidatë të LSI-së me urdhër të Prokurorisë së Elbasanit. Marrëveshje me Ramën nuk ka nga asnjë nga ne, sepse do ishte vrasje politike për ne dhe vrasja e shpresës për të rinjtë e vendit. Edi Rama mbylli ciklin e tij përfundimisht, prodhoi kriza e varfëri, thelloi gabimet e rrënoi imazhin e tij. Rama është kthyer në element i frikshëm. Ne donim drejtësi të pavarur, por drejtësia është bërë me Rilindjen”, u shpreh Kryemadhi.