Monika Kryemadhi:Të flasësh për hallet e Lezhës do të duhet shumë ditë

 

Edhe 10 ditë na ndajnë nga dita e zgjedhjeve lokale, por zgjedhjet kanë një rëndësi të veçantë, jo vetëm për klasën politike, ku duhet të tregohemi të matur, me durim dhe me përkushtim, por mbi të gjitha me përgjegjësi morale dhe politike.

Rëndësia kryesore e këtyre zgjedhjeve është te shërbimi dhe te funksionimi i ri i pushtetit vendor, që do të ketë impakt direkt te qytetarët.

Si deputete e qarkut të Lezhës shikoj çdo ditë se reforma e re administrativo- territoriale ka qenë shumë e rëndësishme jo vetëm për ushtruesit e pushtetit vendor, por edhe për vetë qytetarët, të cilët kanë qenë ata që vuanin dhe sfiliteshin nëpër hallkat e stërzgjatura dhe burokrate të një ndarje administrative tepër të copëzuar dhe të atrofizuar.

Me reformën administrativo-territoriale bashkëpunimi qeveri dhe pushtet vendor do të jetë shumë herë më funksionale se më parë. Kjo gjë do të bëhet e mundur nga angazhimi reciprok i të dyja palëve. Shembulli i mirë për të dëshmuar rezultatin që kjo reformë do të japë në të ardhmen është bashkëpunimi në bashkinë e Lezhës, ku në 18 muaj bashkia e Lezhës është kthyer në një kantier ndërtimi dhe model zhvillimi.

Zgjidhja përfundimtare e furnizimit me ujë të pijshëm në bashkinë e Lezhës për komunat Balldren, për zonën e Zejmenit, dhe për ishullin Lezhë, do t’i japë fund aksit të grave dhe vajzave lezhjane, të cilat edhe sot e kësaj dite vazhdojnë të ngarkohen me ujë si gjyshet tona përpara 100 vjetëve.

Sheshi “Gjergj Kastrioti”, nga një vendparkimi i makinave të prishura, tashmë është kthyer në një shesh modern europian, por mbi të gjitha ky shesh u është kthyer fëmijëve, nënave dhe gjysheve që kalojnë kohën e lirë.

Rruga e Katedrales me parametra europiane; asfaltimi, së shpejti, i shëtitores së Drinit; rruga Shtraus dhe shumë projekte të tjera, kanë marrë dhe do të marrin jetë nga një bashkëpunim i ngushtë i pushtetit vendor me qeverinë, por këto janë shumë pak për popullin punëtor dhe të mrekullueshëm të Lezhës.

Reforma e re administrativo-territoriale do të bëjë të mundur asfaltimin e rrugës së famshme të Torovicës, rrugën e Barbullojës, e cila përmbytej nga mosfunksionimi i tri urave të vogla; rrugën e ishullit Lezhë, rrugët komunikuese me Zejmenin, Kolçin, ishullin Shëngjin e kështu me radhë, sepse tranzicioni jo vetëm që i ndau tokat në ngastra të vogla, por ndau edhe rrugët e lagjeve dhe të shtëpive, dhe rrugët, tranzicioni na i ndau në rrugë të majta dhe të djathta. Meqenëse ra fjala te ngastrat, kjo reformë do të zgjidhë përfundimisht historinë 25- vjeçare të tokave, pra, marrjen në dorë të aktit të pronësisë.

Familjet të cilat jetojnë për më shumë se 100 vjet në tokat e tyre, sot e kësaj dite nuk kanë në dorë aktin e pronësisë së tokës së të parëve te tyre, pasi kryetarët e komunave e përdorin si një mjet presioni, për t’u marrë votën ose edhe si një mjet ryshfeti, të cilën jo rrallëherë e shikojmë. U tundin dosjet dhe u kërcënojnë bukën e gojës. Po, po, ua tundin dosjet, sepse Prenga, i biri i Bibës dhe nipi i Nikollës, prej qindra vjetësh jeton në tokën e tij dhe në shtëpinë e tij, por në fakt, nga viti 2008 pronari i oborrit të shtëpisë, ku janë mbjellë pemët, specat, domatet dhe lulet, u ka dalë një zotëri tjetër, që jo vetëm nuk jeton në Lezhë, por nuk jeton as në Shqipëri.

Pra, kjo reformë do t’i japë fund trafikut të pamoralshëm dhe abuzues të tokave; do t’i japë fund abuzimit të përdorimit të varfërisë, të mosnjohjes dhe të mosmarrjes së informacionit apo edhe të shërbimit të duhur në këto zyra.

Në planin e zhvillimit të bashkisë së Lezhës një nga prioritetet është edhe bujqësia dhe blegtoria, të cilat gjatë tranzicionit janë lënë pas dore, për sa u përket subvencioneve, por edhe për orientimin apo drejtimin e vizioneve të qarta për zhvillimin e kësaj fushe.

Në këta 18 muaj blegtoria ka marrë një shtysë të re në këtë rreth, por edhe bujqësia shumë shpejt do të hyjë në rrugën e modernizimit dhe të organizmit të saj. Këtë gjë, kjo reformë e re do t’ia mundësojë.

Peshkimi është një nga fushat ku më shumë se 500 familje fitojnë bukën e përditshme dhe për 25 vjet peshkatarët ishin lënë në mëshirën e fatit, dhe, jo vetëm kjo, por edhe peng, apo viktima të kasapëve të lagunave, të cilët në 25 vjet i shkatërruan, duke e gjuajtur peshkun me dinamit apo duke vendosur energjinë elektrike.

Organizimi i ri jo vetëm që garanton rrogën në standarde të mira, por edhe sigurimet shoqërore e shëndetësore. Përveç kësaj garanton ruajtjen dhe zhvillimin e lagunës me investime prej disa miliona eurosh në laguna, të cilat do t’i kthejnë këto laguna të vlefshme jo vetëm për ne që jetojmë tashmë, por edhe për brezat e tjerë që do të vijnë më pas. Kjo gjë do t’ua bëjë jetën më të sigurt dhe do ta luftojë varfërinë ku vërtet ata janë futur.

Të flasësh për hallet e Lezhës do të duhet shumë ditë, dhe kjo situatë është edhe në Mirditë, edhe në Laç, por jam e bindur që është edhe në të gjithë Shqipërinë, sepse copëzimi i pushtetit vendor gjeneroi jo vetëm abuzim, burokraci dhe prapambetje, por edhe zemërimin e vetë qytetarëve.

Prandaj, të nderuar kolegë, reforma e re administrativo-territoriale do t’i japë fund bajraktarizmit të drejtuesve lokalë; do t’i japë fund sfilitjes, halleve dhe varfërisë së njerëzve, por mbi të gjitha do t’i japë fund komandës politike, të partive në Tiranë, të cilat i përdorin ato për interesa të vogla elektorale.

(fjala ne parlament e deputetes Kryemadhi)

 

 

 

SHKARKO APP