Monumeti i Indrit Carës në Kavajë, presidenti Begaj: Simbol i guximit, një frymë e pastër atdhedashurie

Presidenti Bajram Begaj përkujtoi sot në Kavajë “Dëshmorin e Kombit”, Indrit Cara, në 26-vjetorin e rënies në luftën e Kosovës, në një ceremoni solemne ku u inaugurua monumenti i tij. Kreu i Shtetit vendosi një kurorë me lule në shtatoren e “Ushtar Kavajës” në nderim të veprës sublime për kombin.

Begaj vlerësoi vendosmërinë dhe sakrificën e 28-vjeçarit nga Kavaja, i cili la Anglinë dhe iu bashkua djemve dhe burrave në luftën për çlirimin e Kosovës, ndërsa theksoi se Indrit Cara i përket Kosovës, Shqipërisë dhe gjithë shqiptarisë. ”Ai lindi në Kavajë, por sot i takon Kosovës, i takon Shqipërisë, i përket shqiptarisë. Indrit Cara është shembull dhe simbol i guximit, një frymë e pastër atdhedashurie dhe një zemër që rrahu fuqishëm për lirinë e kombit shqiptar. Ai është një emër i gdhendur në historinë e kombit tonë, një model frymëzimi që tregon rrugën për të rinjtë tanë: frymën e sakrificës, forcën e unitetit dhe rëndësinë e veprimit për të mirën e kombit tonë”, tha Begaj.

Presidenti theksoi se përkujtimi i Indrit Carës shërben për të gjithë si kujtesë për angazhimin e përhershëm për të mos e lënë të shuhet ëndrrën për të cilën ai dha jetën. ”Sakrifica e tij shërben si një busull për të ardhmen tonë, për një komb të bashkuar, për një shqiptari të fortë, për një Kosovë që ecën përpara, e lirë dhe krenare”, tha ai.

Swiss Digital Desktop Reklama

Ai kujtoi me nderim edhe figurat që udhëhoqën përpjekjet për çlirimin e Kosovës: Ibrahim Rugovën, Adem Demaçin e Adem Jasharin, si dhe nënvizoi përgjegjësinë për bashkëpunim jo vetëm të politikës, por të çdo qytetari për të ruajtur dhe pasuar amanetin e të parëve. Begaj gjatë vizitës në Kavajë u prit dhe zhvilloi një takim me Kryetarin e Bashkisë, Fisnik Qosja, ndërsa vizitoi dhe Muzeun Etnografik të Kavajës të restauruar së fundmi.

Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Mendoni se Berisha do ta bllokojë kryeministrin me turma popullore?