Moratoriumi i gjuetisë, Rama batuta me Bracen: Je ambasador i Divjakës
Konferenca për moratoriumin e gjuetisë, e zhvilluar në Divjakë është shoqëruar me batuta nga Kryeministri Edi Rama në drejtim të deputetit Erjon Brace.
Pasi ka vlerësuar punën dhe këmbënguljen e deputetit socialist për shndërimin e Parkut të Divjakës, Rama nuk ka nguruar ta cilësojë Bracen si Ambasadorin e Divjakës.
"Një falenderim për Ambasadorin e SHBA në Shqipëri, por edhe për Erjon Bracen, i cili është Ambasador i Divjakës", u shpreh Rama, batutë e cila u shoqërua me të qeshura nga të pranishmit.
Në fjalën e tij Rama deklaroi se është i mendimit se moratoriumi i gjuetisë duhet të ketë një shtrirje më të madhe kohore nga sa është vendosur.
"Ndryshimi i prekshëm është rezultat i punës së bërë. Moment i bukur për të bërë një bilanc dhe për të nxjerrë mësime. Pas vendosjes së moratoriumit ka një bilanc më të mirë. Në 1 vit kemi bërë të mundur rikthimin masiv të specieve të llahtarisura nga papërgjegjshmëria vrastare.
Raporti që Ministria e Mjedisit i vuri qeverisë kur kërkoi mbështetje, fliste për fazanin e shfarosur 100%, për thëllëzën e lepuj të shfarosur mbi 70%.
Madje edhe dhelpra, për të cilën na është thënë se është dinake nuk mundi të shpëtojë nga shtazat që bënë këtë katrahurë me speciet e vecanta. Dhelpra më pak nga të tjerat, por edhe ajo u shfaros mbi 30 %.
Kur kemi vizituar këtë park për herë të parë, kemi takuar një grup të Al Jazzeras për të dhënë lajmin se Pelikani ishte kthyer në një vend që ia kishin bërë jetën të pamundur.
Edhe bota e qytetëruar ka një problem me egërsinë e vet, që shpesh herë është më e madhe se egërsia e pyllit. Banorët e kësaj zone janë dëshmitarë se në kohëra më të qeta kjo ishte një zonë e shumë vizituar. Më pas u popullua nga gjahtarë që erdhën për të shfarosur faunën e egër.
Unë jam i qëndrimit se Moratoriumi të shtyhet për 10 vite. Ministria e Mjedisit e ka përgatitur draftin e ri për gjuetinë shumë strikte dhe përjashtimin e gjuetisë në zonat e mbrojtjes.
Unë jam me atë, që gjahtarët ta shtyjnë edhe më tej ëndrrën e tyre për të vrarë. Falë moratoriumit kemi një përmirësim. Ministria e Mjedisit ka shifra inkurajuese. Është shumë e rëndësishme që e shohim këtë.
Në Divjakë, gjendet një zonë e mrekullueshme për të kaluar fundjavën me miqtë, por edhe për turizmin", tha Rama.
Ambasadori amerikan në Tiranë Donald Lu e cilësoi moratoriumin si mbresëlënës.
“I lumtur që sot nuk flasim për politikë, por për një çështje më të rëndësishëm. Ky moratorium është një shembull mbresëlënës. Gjuetarë të huaj dhe vendas kanë vrarë shumë shpend shtegtar duke përfituar nga mungesa e rregullave dhe moszbatimi i tyre. Këta zogj shtegtarë janë rikthyer”, tha Ambasadori Lu.