Mosliberalizimi i vizave për Kosovën, Balla: Një turp nga Bashkimi Europian

Kryetari i grupit parlamentar i PS-së, Taulant Balla këtë të hënë mori pjesë në Simpoziumi Ndërkombëtar Symi që po zhvillohet në Athinë. Balla tha se mos-liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës nga BE është një turp tjetër për kredibilitetin e BE. “Ndërsa nuk e kuptoj pse edhe Kosova dhe Bosnja-Hercegovina nuk u jepet statusi i vendit kandidat për anëtarësim në BE. Mos-liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës nga BE është një turp tjetër për kredibilitetin e BE”,-shkruan Balla në facebook.

Postimi i plotë

Simpoziumi Ndërkombëtar Symi. Mora pjesë në panelin “Implikimet e luftës në Ukrahinë-Një strategji për të shtyrë përpara anëtarësimin në BE të vendeve të Ballkanit Perëndimor”, sëbashku me Kryeministrin e Kosovës Albin Kurti dhe përfaqësues të tjerë nga vendet e tjera të rajonit.

Mbajtja e Konferencës së Parë Ndërqeveritare me Shqipërinë, shpresoj edhe me Maqedoninë e Veriut, javën e ardhshme (19-20 Korrik) është një lajm i mirë, por të mos harrojmë se fillimi i bisedimeve për anëtarësim edhe me dy vende të tjera të rajonit nuk është e mjaftueshme në kushtet e reja gjeo-politike pas agresionit të pajustifikuar dhe paprovokuar rus kundër Ukrahinës.

Ndërsa nuk e kuptoj pse edhe Kosova dhe Bosnja-Hercegovina nuk u jepet statusi i vendit kandidat për anëtarësim në BE. Mos-liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës nga BE është një turp tjetër për kredibilitetin e BE.

Procesi i Berlinit prej tetë vitesh është instrumenti i duhur për normalizimin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimin mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, Ballkani i Hapur është instrumenti i domosdoshëm për implementimin në terren të katër lirive themelore të BE-së, duke garantuar lëvizjen e lirë të njerëzve, mallrave, kapitaleve dhe shërbimeve.

Të mos harrojmë se jemi një rajon që rrethohet prej kufijve të BE-së dhe është i ekspozuar ndaj aktorëve jomiqësorë.

SHKARKO APP