Mos testimet, Shehu: Greqia do ndalojë hyrjen e vizitorëve të pa pajisur me “pasaportën e shëndetit”. Rama po ndëshkon shqiptarët
Ish-kreu i diplomacisë shqiptare, Tritan Shehu ngre shqetësimin se mosbërja e testimeve të koronavirusit masive të popullsisë rrezikon të penalizojë lëvizjen e lirë të shqiptarëve në vendin fqinj.
Duke marrë shkas nga deklaratat e ministrit të turizmit të Greqisë, Theoharis, i cili deklaroi sot se po synohet një turizëm i sigurtë, ku të gjithë vizitorët që duan të hyjnë në shtetin helen duhet të jenë të pajisur me “pasaportat e shëndetit”, Shehu deklaron se kjo po diskutohet në BE që të kthehet në normë.
“Mohimi i të drejtës për t’u testuar, mohim dhe i lëvizjes së lirë!
Sot Ministri i Turizmit të Greqisë, Z. Theoharis, deklaroi se sfida e turizmit në atë vend do të jetë ai i “sigurtë”, nëpërmjet hyrjes së vizitorëve të pajisur me “pasaportat e shëndetit” nga vendet e origjinës.
Sipas tij, kjo tashmë po diskutohet në nivelet e BE-së për t’u kthyer në një normë europiane të lëvizjes; dhe këtu është fjala për testimet imunologjike (IgG, IgM, IgA) së bashku me ato virusologjike (tampon).
Me gjithë insistimin tonë, këto testime vazhdojnë të jenë “mollë e ndalueme” për publikun, duke shkelur kështu të Drejtat Themeltare të Njeriut, ndër të cilat siç e kemi paralajmëruar edhe lëvizjen e lirë nesër.
Në qoftë se nuk implementojmë parimin test, test, test, imunologjik e virusologjik, duke decentralizuar procesin, aktivizuar kapacitetet tona laboratorike në vend, dalë nga hermetizimet e rrezikshme, jo vetëm nuk mund të menaxhojmë me profesionalizëm situatën e “hapjen” e as të ecim drejt “pasaportës së shëndetit”, por me mungesën e plotë të transparencës, të kontrolleve të shumëfishta, etj., krijojmë hije të mëdha dyshimesh që nesër do të bëhen pengesë edhe për “hapjen” e kufijve.
Në fakt me këtë centralizim ekstrem, krejt të kundërt nga parimet e shkencës e të të drejtave, edhe donacioni nga BE-ja me 20000 kite komprometohet në objektivat e eficiencën e tij”, shprehet ish-deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu në reagimin e tij përmes rrjeteve sociale.