Gjiknuri: Nga shtatori nis puna për të dalë sërish fitues

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri siguroi se partia do të jetë një mbështetëse e madhe e integrimit të Shqipërisë në BE. Gjatë takimit me drejtuesit e rinj të PS, ku merrte pjesë dhe kryeministri Edi Rama, Gjiknuri theksoi se PS-ja është forca që ka kontribuar më shumë për integrimin.

“Shqipëria është në një moment të rëndësishëm historik. Tashmë Shqipëria është një hap shumë më afër Bashkimit Europian. Sapo kemi filluar negociatat. Natyrshëm, qeverisë shqiptare i del një barrë e rëndë, një detyrë e madhe për të përballuar një proces shumë të vështirë dhe këtë duhet ta pranojmë. Unë jam i bindur që Partia Socialiste do të jetë një mbështetëse e madhe e këtij procesi. Jemi partia që kemi kontribuar më shumë për integrimin. Jemi partia më demokratike e këtij vendi dhe me rezultatet më positive që duhet të na bëjnë të gjithë krenarë. Unë them që edhe një meritë për procesin e integrimit e ka kjo parti pavarësisht se disa të tjerë nuk duan ta pranojnë këtë fakt”.

Po ashtu ndër të tjera, ai u kërkoi kryetarëve të rinj që të nisin menjëherë punën nga riorganizimi për t’u përgatitur për zgjedhjet e ardhshme vendore.

”Partinë Socialiste e presin sfida të mëdha. Jo vetëm sepse jemi në mandatin e tretë dhe mandati i tretë ka sfidat e tij dhe këtu duhet të jemi të gjithë dakord, por sepse Partia Socialiste duhet të jetë një organizatë që gjithmonë rigjenerohet, vetë-organizohet shpesh dhe vetë-kritikohet gjithmonë me qëllimin për të bërë më të mirën. Zgjedhjet vendore do të jenë në muajin prill kështu që nga shtatori do fillojmë punën e përgatitjeve elektorale ku jam i bindur që ne do të dalim përsëri fitues ashtu siç e kemi traditë gjithë këto vite”.

SHKARKO APP