MPJ dënon sulmin në Ukrainën jugore
Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Shqipërisë dënon me forcë sulmin me artileri të rëndë ndaj qytetit Mariupol në Ukrainën jugore.
“Dhjetëra viktimat dhe të plagosurit e sotëm janë të fundit në listën gjithnjë e më të gjatë të civilëve, që po bëhen objekt sulmi dhe terrori nga forcat separatiste në lindje të Ukrainës. MPJ shpreh shqetësimin se veprime të tilla kriminale përkeqësojnë situatën humanitare në lindje të Ukrainës dhe kontribuojnë në përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit”, thuhet në deklaratën për shtyp.
Ministria e Punëve të Jashtme i shpreh ngushëllimet më të ndjera familjarëve të viktimave dhe të gjithë popullit të Ukrainës.
MPJ u bën thirrje atyre që kryejnë veprime të tilla çnjerëzore të ndalin menjëherë veprimet luftarake dhe të angazhohen plotësisht për zbatimin pa kushte të marrëveshjeve të Minskut, për të rikthyer paqen në Ukrainë.