Muaj të tërë pa marrë pagat, Kryemadhi takon punonjësit e stacionit të Poçemit në grevë urie. Ja premtimi që u jep
Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi ka takuar grevistët e urisë në stacionin e pompimit në Poçem të Mallakastrës. Grevistët e urisë nuk kanë dashur që takimi mes tyre dhe kreut të LSI të marr ngjyra politike, por kanë kërkuar që ajo të vihet në dijeni nga vetë ata se ku qëndron problemi dhe jo nëpërmjet mediave apo interpretimeve të të tretëve që mund t’i bëjnë problemit të tyre.
Kryemadhi nga ana e saj i ka dëgjuar me kujdes ka bërë takimin me pyetje e përgjigje çka e ka qartësuar më së miri problemin dhe është treguar e gatshme që të ofrojë jo një por disa zgjidhje.
Punëtorët e grevës së urisë i kanë pohuar Kryemadhit se nuk ka negociata as me shtetin e as me privatin pa marrë më parë 27 pagat e prapambetura pasi ne jemi objekt i rëndësisë së veçantë por që asnjëherë nuk janë trajtuar si të tilla. Në takimin që ka zgjatur afro 60 minuta, Kryemadhi u premtoi grevistëve disa zgjidhje, por do të shikohet mundësia që ata të marrin pagat në një kohë sa më të shkurtër duke njohur nga afër faktorët ndërkombëtar.
Ndersa dje nga takimi me strukturat e LSI ne Fier, Kryemadhi u shpreh se greva e urisë së naftëtarëve, grevë për bukën e përditshme.
“Ju të gjithë e keni ndjekur hap pas hapi angazhimin dhe të gjithë aktivitetet tona që kanë të bëjnë jo vetëm me integrimin europian, por që kanë të bëjnë edhe me politikat e punësimit, që kanë të bëjnë edhe me politikat e zhvillimit dhe subvencionimit në bujqësi. Sepse ju e dini shumë mirë që Bashkia e Fierit jeton më naftën në njërën anë dhe me bujqësinë. Mungesa e subvencioneve në bujqësi dhe blegtori sigurisht që ka sjellë që bujqësia të jetë një nga aspektet më të vështira dhe më të pamundura për ta zhvilluar. Ashtu siç është edhe ana tjetër, që janë naftëtarët, që janë një nga strukturat më të forta që ka Bashkia e Fierit. Ju e dini se jo shumë larg nga këtu, janë disa burra naftëtarë që prej 3 ditësh janë në një grevë urie. Greva e tyre e urisë nuk ka të bëjë as me çështje që kanë të bëjnë me ngrohjen globale. Greva e tyre e urisë nuk ka të bëjë as me investime e mëdha që po bën sot qeveria shqiptare. Greva e tyre e urisë ka të bëjë me mungesën prej 27 muajsh të pagave të tyre, të cilat janë ushqimi dhe buka e përditshme në tavolinat për fëmijët dhe familjarët e tyre.
Në fund të fundit nëse ne nuk do të jemi pranë njerëzve, nëse ne nuk do të diskutojmë me njerëzit, nëse nuk do të jemi të qartë në atë që do i propozojmë njerëzve, ata nuk do të kenë asnjë mundësi tjetër, por do të shkojnë drejt largimit nga Shqipëria.
Prandaj dhe unë ju bëj thirrje juve sot, që jeni drejtuesit e të gjithë qendrave të votimit në Bashkinë e Fierit, jeni drejtueset e LGI-së, jeni drejtuesit e rinisë në Bashkinë e Fierit, të cilët keni qenë ata që i keni dhënë jo vetëm rezultate të mrekullueshme, por keni qenë dhe ata që i keni dhënë frymën dhe forcën LSI-së. Por jo vetëm LSI-së, por edhe jetës politike shqiptare.
Unë sot do t’iu kërkoja që të mos ndaloni në asnjë moment, por të jeni çdo ditë në kontakt me njerëzit, të takohemi me ta, të bisedojmë me ta, jo nëpër takime të mëdha, por në takime të vogla në mënyrë të tillë jo vetëm për t’i dëgjuar ata për problemet që kanë, por edhe për të bashkëbiseduar e për të marrë nëj mendje prej tyre, se çfarë aspirojnë ata për të ndërtuar në Shqipëri. Dhe të gjithë së bashku duke u bashkuar me Kejdin, me Floidën, me Erisën, me Benin, me Luanin, me Luan Ramën që kemi sot këtu prezent, me Kristianin, me shumë e shumë djem e vajza të reja që ka Fieri, me doktoreshat e mrekullueshme, me mësuesit tanë, më naftëtarët, me gjithë ata të rinj e të reja që janë në Bashkinë e Fierit. Të bisedojmë me bashkë qytetarët për të thënë që ne jemi të gatshëm, ne jemi të gatshëm, për të marrë përgjegjësitë dhe drejtimin tonë.
Ne si LSI e kemi treguar, dhe një nga pikat tona më të dobëta që na e quan rilindja, është se ne i mbajmë njerëzit dhe bëjmë për ta. Por normal që partitë politike jo vetëm që duhet t’i mbajnë njerëzit, por duhet edhe t’i ndihmojnë ata, t’i krijojnë mundësi dhe t’i punësojnë. Dhe kush më shumë se LSI-ja e ka krijuar mundësinë e punësimit, sidomos për të rinjtë dhe për të rejat. Kush më shumë se LSI-ja është ajo forcë politike e cila e mban fjalën. Prandaj vlerat tona, ato vlera të cilat ne i kemi më të mëdha dhe më të forta, ti tregojmë edhe njëherë. Sepse Shqipëria më shumë se kurrë, ka nevojë për të qenë vend i Bashkimit Europian me të drejta të plota”, tha Monika Kryemadhi.