Mungesa në Kuvend për çështjen ”McGonigal”, Balla: Rama është në detyrë nga mëngjesi në darkë

Kuvendi sot ishte në kaos dhe u mbyll shpejt. Mungesa e kryeministrit Edi Rama për të dhënë shpjegime për dosjen ”McGonigal”, bëri që opozita të bojkotojë punimet e Kuvendit.

Kreu i grupit parlamentar i Partisë Socialiste, Taulant Balla foli për gazetarët, ku thotë se është ngritur një çështje pa thelb nga opozita, dhe për të nuk ka pse Partia Socialiste t’i shkojë nga pas një partie që ngre çështje që nuk kanë sens.

“Kur unë isha në opozitë kam kërkuar interpelancë dhe kam kërkuar dhe vetëm 2 herë kanë qenë. Ka një traditë parlamentare të konsoliduar. Duhet të kuptojmë që deputetët e opozitës, qofshin foltorista ose të PD, s’kanë interes fare për këtë çështje. Sot ishte seancë përtej qesharake. Imagjinoni kush flet për drejtësinë amerikane një njeri që shkon nga pas një njeriu non-grata”,-tha Balla.

Pyetje: Ku është kryeministri?

Balla: Kryeministri i Shqipërisë është në detyrë.

Pyetje: A po i shmanget?

Balla: Nuk ka asnjë lloj shmangieje nga një çështje nuk është çështje. Çështja e opozitës është t’i shkojë mbrapa një hetimi në SHBA, ndaj një zyrtari amerikan, i cili gjatë aktivitetit të tij ka pasur takime edhe në Shqipëri. Për ne, kjo nuk është çështje. Secila palë ka agjendën e vet, por të tjerët nuk mund të na tërheqin në agjendën e vet pa thelb. Edhe të enjten e kaluar, edhe sot, kishim çështje shumë të rëndësishme për të diskutuar”, tha Balla.

SHKARKO APP