Mungojnë 134 mln dollarë nga doganat e tatimet, PD: Rama të përgjigjet!
Partia Demokratike akuzon Qeverinë se ka dështuar në mbledhjen e të ardhurave në dogana e tatime. Në një deklaratë për mediat, deputeti demokrat Edmond Spaho thotë se “Ministria e Financave ka pranuar dështimin me mbledhjen e të ardhurave”, duke nxjerrë në pah kështu sipas tij, “gënjeshtrat e Edi Ramës, i cili vetëm pak ditë më parë kur bëri bilancin, foli për arritje e suksese”.
Spaho tha se në buxhet mungojnë 134 milionë dollarë, dhe sipas tij shkak për këtë situatë është korrupsioni dhe ryshfeti në dogana e tatime.
“Më e rënda për vendin është se këto 134 milionë dollarë që mungojnë në buxhet, që mungojnë në investime, në rrugë, shkolla, apo ujësjellës, kanë si origjinë korrupsionin. Janë 134 milionë dollarë që kanë përfunduar në xhepat e zyrtarëve, e ministrave e klientelës së Edi Ramës.
Ministria e Financave ka pranuar më në fund zyrtarisht dështimin e qeverisë në mbledhjen e të ardhurave. Dështimi në mbledhjen e të ardhurave, dështimi në tatime e dogana, është në fakt dështimi kryesor i një qeverie. Kur një qeveri nuk mbledh të ardhurat, ajo pushon së funksionuari në rolin e saj më kryesor.
Pranimi zyrtarisht i këtij dështimi nga Ministria e Financave ka nxjerrë në pah gënjeshtrat e Edi Ramës, i cili vetëm pak ditë më parë kur bëri bilancin, foli për arritje e suksese.
Më e rënda për vendin është se këto 134 milionë dollarë që mungojnë në buxhet, që mungojnë në investime, në rrugë, shkolla, apo ujësjellës, kanë si origjinë korrupsionin. Janë 134 milionë dollarë që kanë përfunduar në xhepat e zyrtarëve, e ministrave e klientelës së Edi Ramës.
134 milionë dollarë që mund të ishin pensione të rritura, apo paga më të mira, shkolla e kopshte, rrugë të reja, ujësjellës apo rrjet i ri energjitik, rimbursim për energjinë apo ndihma ekonomike për të varfërit, nuk ekzistojnë sot sepse janë kthyer në pasuri për një grusht njerëzish e janë përdorur për të blerë vota.
Partia Demokratike e ka denoncuar që në fillim, se korrupsioni, rryshfeti, ulja e traut të doganës për miqtë e qeverisë po shkaktonte një gropë të madhe në të ardhurat e vendit. Edi Rama e mohoi vazhdimisht dhe fliste gjithnjë për rritje e arritje.
Por e vërteta e hidhur ka dalë në shesh. Tani nuk e dimë se çfarë emri do ti vërë Edi Rama kësaj? Çfarë arritje apo suksesi janë këto 134 milionë dollarë të vjedhura në tatime e dogana?
Ky korrupsion galopant i ka dhënë pasojat, siç e dimë përfaqësuesi i FMN u shpreh i zhgënjyer dhe fondi monetar ka vendosur të mos lëvrojë kredinë. Edhe pse Edi Rama vendosi taksat më të larta në rajon, ai sot ka performancën më të dobët në rajon në grumbullimin e të ardhurave.
Para këtij fakti tronditës, nuk ka asnjë shenjë reflektimi. Përkundrazi, në filozofinë e Edi Ramës, fajin e ka populli.
Ai nuk ka ndërmend të ndalojë e të marrë masa për hajdutërinë e hajdutët rreth tij, por ka shpallur se do të rrënojë popullin, do ti tregojë atij burgun, me një fushatë kërbaqi që ka vendosur të nisë në shtator.
Ka ndërmend t’i nxjerrë në kurriz të popullit, të ardhurat që nuk ua merr miqve të tij biznesmenë, të ardhurat që nuk ia merr klientelës së tij në dogana. Të ardhura që sigurisht i ndan me ta.
Qytetarët e këtij vendi kanë duruar shumë padrejtësi të kësaj qeverie, dhe zor se do të durojnë edhe padrejtësinë e mbulimit të korrupsionit e selektivitetit në pagimin e taksave dhe detyrimeve doganore.
Partia Demokratike thekson se zgjidhja e vetme është ulja e taksave, administratë e ndershme në tatime e dogana, dhe trajtimi i barabartë para ligjit e detyrimit për të gjithë.
Partia Demokratike bën edhe një herë të ditur se sapo shqiptarët të na besojnë drejtimin e vendit, ne do të vendosim taksën e sheshtë 9 përqind, më të ulëtën në rajon.
Do shmangim kështu korrupsionin e informalitetin, do rrisim të ardhurat, dhe do ta bëjmë vendin më tërheqësin në rajon për investime”