Mustafaj: Basha t’i thoshte Berishës “s’ke më punë në parti”
Besnik Mustafaj, ish-ministër i Jashtëm i qeverisë “Berisha”, i rikthyer në PD pas 6 vitesh mungesë, mendon se prezenca e Berishës e dëmton Lulzim Bashën.
Ai i sugjeron Bashës që ta largojë Berishën nga partia. I kërkon të marrë si shembull kancelaren Merkel, që i tha paraardhësit të saj, Helmut Kohl, të ikte nga partia. Sepse, sipas Mustafajt, drejtimi i PD në këtë periudhë ka qenë i vështirë sa për faktin se Berisha vazhdon të ketë influencë në këtë parti, po ashtu edhe shkak të mënyrës se si u zhvilluan zgjedhjet në parti pas largimit të tij.
“Unë besoj se ka qenë shumë e vështirë të drejtosh Partinë Demokartike në këtë periudhë. Ka qenë shumë e vështirë për arsye të ekzistencës së Sali Berishës. Unë menjëherë pas zgjedhjeve të vitit 2013, publikisht kam kërkuar që të zgjatet tranzicioni dhe të fillojë një garë brenda Partisë Demokratike. Të fillonte një garë e vërtetë, le të ishte 6 muaj, pasi PD-ja do të drejtohej ngan jë triumvirat i caktuar. Unë besoj që Basha do të fitonte, por gara do të ishte stërvitja e domosdoshme që ai ta merrte me një siguri më të lartë në vetvete drejtimin e Partisë Demokratike. Duke e marrë me një siguri më të madhe, do të arrinte t’i tregonte kufirin Sali Berishës. Në shkrimet e mia kam thënë se ajo që Basha duhet të bënte me Berishën, duhet të ishte ajo që bëri Merkel me Kohl. Merkel ishte një produkt shumë më laboratorik i Helmut Kohl, sesa Basha i Berishës. Sepse Merkes, një femër nga Gjermania Lindore të merrte CDU –në, partinë konservatore më të madhe në Europë, mund të kalonte vetëm duke ia dhënë çelësat Helmut Kohl. Ai e bëri. Në fund të fjalës së parë të saj, ajo i tha Kohl-it: Nuk ke më punë në parti! Është e njëjtë me atë që thotë Frojdi: të vrasësh babain”, u shpreh Mustafaj në një bashkëbisedim me studentët e UET.
Mosndarja e tij nga Berisha, sipas Mustafajt, e ka vënë në dyshim rolin e Bashës si lider i vërtetë i PD. Për ta ilustruar këtë përfundim, ish-ministri i Jashtëm merr shembull sulmet që i bën Bashës në këtë drejtim kryeministri Rama.
“Basha duhet ta bënte këtë gjë. Basha për shumë arsye nuk e ka bërë publikisht këtë dhe e gjithë lufta që i bëhet nga kundërshtarët, i bëhet për këtë arsye. E keni parë se sa herë që flet Basha, kryeministri thotë “dua të flas me të vërtetin e PD –së”, që i referohet Berishës. Është kjo një tentativë e Ramës për ta paraqitur Bashën si një lider fals, një lider rezervë dhe për t’ia zvogëluar autoritetin. Kjo nuk i ka bërë mirë Partisë Demokratike, opozitës dhe sigurisht nuk i ka bërë mirë Lulzim Bashës. Po runë besoj se Basha po përpiqet me një shpejtësi optimiste. Personalisht do të preferoja që Berisha të rrinte me qytetarin e tij dixhital shumë të dobishëm dhe ta linte që të piqej, ose të vihej realisht në provë Lulzim Basha”, u shpreh gjithashtu Mustafaj.
KOHA JONË SONDAZH

