Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar në Korçë, një tempull i artit dhe kujtesës që rrëfen përmes thesareve
Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar në Korçë është një nga institucionet më të rëndësishme kulturore në Shqipëri dhe një nga thesaret më të çmuara të trashëgimisë sonë historiko-artistike. Në një postim të fundit në rrjetet sociale, ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, ka ndarë vlerësime për këtë muze unik, duke e quajtur një pasuri kombëtare me rëndësi ndërballkanike.
I hapur në vitin 1980, muzeu ndodhet në qytetin e Korçës, që njihet si djepi i kulturës shqiptare, dhe strehon një koleksion të jashtëzakonshëm të ikonografisë shqiptare nga shekulli i XIII deri në shekullin XIX. Kjo galeri përfaqëson jo vetëm një ekspozitë të pasur fetare, por edhe një rrëfim historik e shpirtëror për zhvillimin e artit në trojet shqiptare përgjatë shekujve.
Ndër emrat më të njohur që përfaqësohen në muze është mjeshtri i madh Onufri, i cili solli në ikonografinë shqiptare një ngjyrë të veçantë të kuqe, tashmë e njohur si “e kuqja e Onufrit”. Po ashtu, gjejmë edhe vepra të bijve të tij, Nikolla dhe Joan, si dhe ikonografë të tjerë të shkollës së Korçës dhe Beratit.
Muzeu përmban mbi 7000 objekte – përfshirë ikona, objekte liturgjike, fragmentë muralesh, dorëshkrime dhe artefakte të tjera – duke e renditur atë mes koleksioneve më të mëdha në Ballkan të artit bizantin dhe post-bizantin.
Në postimin e tij, ministri Gonxhja thekson se ky muze nuk është vetëm një pikë referimi për artin mesjetar shqiptar, por edhe një destinacion ndërkombëtar për studiues, artistë dhe vizitorë që kërkojnë të kuptojnë më thellë lidhjen e shqiptarëve me shpirtëroren, estetikën dhe historinë. Ai ka ftuar publikun ta vizitojë këtë vend të veçantë dhe ta konsiderojë Muzeun Kombëtar të Artit Mesjetar jo vetëm si një institucion, por si një tempull të artit dhe kujtesës.
Në funksion të promovimit të trashëgimisë kulturore, ky muze përfaqëson një urë mes të shkuarës shpirtërore dhe identitetit të sotëm shqiptar.
Albert Vataj
KOHA JONË SONDAZH

