Mziu: Anulimin e padisë në Gjykatën Kushtetuese për 30 qershorin, Rama ia ngarkon këtë detyrë Pjerin Ndreut
Deputeti i zgjedhur i Partisë Demokratike në Qarkun e Dibrës, Xhelal Mziu, bën me dije se nesër kryebashkiaku socialist i Lezhës, Pjerin Ndreu ka thirrur mbledhjen e Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë, për të shkarkuar kryetaren aktuale Voltana Ademi, me qëllim që më pas kryetari i ri të tërheq padinë e bërë në Gjykatën Kushtetuese, për shfuqizimin e zgjedhjeve të 30 qershorit 2019.
Në një reagim përmes rrjeteve sociale, ish-kryebashkiaku i Kamzës thekson se me këtë akt, Pjerin Ndreu dhe gjithë kryebashkiakët socialistë synojnë t`i hapin rrugë farsës së radhës zgjedhore, tërheqjes së padisë së bërë nga Shoqata e Bashkive në Gjykatën Kushtetuese për shfuqizimin e zgjedhjeve lokale 30 qershorit 2019.
“Partia Socialiste duket se do të çojë deri në fund planin e saj për të legjitimuar zgjedhjet njëpartiake të 30 qershorit 2019.
Kryebashkiaku socialist i Lezhës, Pjerin Ndreu ka thirrur mbledhjen e Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë, për të shkarkuar kryetaren aktuale Voltana Ademi, me qëllim që më pas kryetari i ri të tërheq padinë e bërë në Gjykatën Kushtetuese, për shfuqizimin e zgjedhjeve të 30 qershorit 2019.
Mbledhja është thirrur të mbahet në Lezhë, ndërkohë që Voltana Ademi e kishte paralajmëruar këtë veprim të socialistëve duke u dërguar letër ambasadorëve të huaj në Shqipëri.
Partia Socialiste nuk ndalet nga skenari për të tërhequr padinë e bërë nga Shoqata e Bashkive të Shqipërisë në Gjykatën Kushtetuese, për konstatimin antikushtetues të zgjedhjeve të 30 qershorit 2019. Anëtarëve të kësaj shoqate u është dërguar një njoftim me porosi të kryebashkiakut të Lezhës, Pjerin Ndreu, që ditën e martë në 8 qershor do të zhvillohet mbledhja e jashtëzakonshme e Asamblesë së Përgjithshme për zgjedhjen e organeve të reja drejtuese të shoqatës, duke shkarkuar kryetaren aktuale të shoqatës, Voltana Ademin.
Pikërisht, me këtë akt, Pjerin Ndreu dhe gjithë kryebashkiakët socialistë synojnë t`i hapin rrugë farsës së radhës zgjedhore, tërheqjes së padisë së bërë nga Shoqata e Bashkive në Gjykatën Kushtetuese për shfuqizimin e zgjedhjeve lokale 30 qershorit 2019. Ky qëllim është lënë të kuptohet edhe në subjektin e njoftimit për anëtarët e shoqatës së bashkive, ku ndër të tjera thuhet se:
Qëllimi i kërkesës për mbledhjen e Asamblesë së Përgjithshme është për mbrojtjen e Interesave të kësaj shoqate gjatë përfaqësimit të saj në Gjykatën Kushtetuese në lidhje me zgjedhjet vendore të datës 30 qershor 2019.
Mirëpo subjektet që kërkojnë të bëjnë këtë veprim, janë kryebashkiakët socialist, të cilët u bënë pjesë e farsës zgjedhore të 30 qershorit të dy viteve më parë, zgjedhje të cilat nuk janë njohur nga opozita dhe Shoqata e Bashkive të Shqipërisë.
Ndërkohë që po këto subjekte, janë në konflikt interesi të hapur me kërkesën e tyre, pasi nuk mund të jenë njëkohësisht dhe palë paditëse dhe palë që do të gjykohet nga Gjykata Kushtetuese në mbledhjen e datës 23 qershor. Për këtë arsye, qëllimi i vetëm i kësaj shoqate është shkarkimi i Voltana Ademit dhe emërimi i një kryebashkiaku socialist në krye të shoqatës, duke i hapur rrugë me nxitim tërheqjes së padisë së bërë nga shoqata e bashkive në Gjykatën Kushtetuese për zgjedhjet e 30 qershorit.
Pak ditë më parë, kryebashkiakja e Shkodrës Voltana Ademi, në cilësinë e kryetares së shoqatës së bashkive të Shqipërisë, paralajmëroi veprimin e radhës të mazhorancës, që synon të legjitimojë zgjedhjet njëpartiake të 30 qershorit, duke tërhequr padinë nga Gjykata Kushtetuese”, shprehet Xhelal Mziu.