Naco: Task Force kundër korrupsionit në hipoteka
Ministri i Drejtësisë Nasip Naço ka reaguar në lidhje me rastin e djeshëm në ZRPP Lushnje, ku drejtori i kësaj agjencie u arrestua për arsye të abuzimit me detyrën dhe u shkarkua nga detyra me urdhër të Ministrit.
Në një mbledhje urgjente me drejtuesit e të gjitha ZVRPP-ve, ministri evidentoi faktin se Ministria e Drejtësisë do të vendosë përpara përgjegjësisë ligjore gjithkënd që abuzon me detyrën dhe cënon misionin e shërbimit publik ndaj qytetarit.
“Ne do të analizojmë punën e ZRPP-ve rast pas rasti dhe do të vijojmë ristrukturimin e këtij shërbimi, për ta bërë atë më efikas për qytetarët.
Kryeregjistruesi dhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit do të nënshkruajnë së shpejti një marrëveshje bashkëpunimi për ndjekjen në dinamikë të çdo denoncimi për rastet korruptive.
Njëkohësisht, për këtë qëllim i kam sugjeruar Kryeregjistruesit dhe Bordit Drejtues të Zyrës së Regjistrimit ngritjen e menjëhershme të një Task- Force.
Megjithatë, edhe vetë strukturat e inspektimit të Ministrisë së Drejtësisë do të zhvillojnë kontrolle dhe mbikqyrje të vazhdueshme ndaj ZRPP-ve në të gjithë vendin.
Zbatoni ligjin ose përballuni me drejtësinë. Miku juaj më i mirë duhet të jetë puna juaj dhe shërbimi ndaj qytetarëve”, theksoi Naço.
Kreu i drejtësisë porositi Kryeregjistruesin që të propozojë largimin e çdo drejtuesi që konstatohet se ka rezultate të ulëta në punë apo abuzime me detyrën, si dhe shpërfill funksionin publik që kryen, duke cënuar rëndë institucionin që përfaqëson.
“Së bashku me Kryeregjistruesin, do të hartojmë një plan auditimi, me qëllim evidentimin e çdo Zyre Regjistrimi që paraqet vonesa apo problematika të mprehta, duke nxjerrë shkakun dhe qëllimin e tyre.
Për çdo problem të konstatuar nuk do hezitoj të shkarkoj secilin nga ju, por edhe Kryeregjistruesi do të shkarkojë punonjësit në varësi.
Nuk do të ndodhë që qytetarët të paraqiten në sportelet e ZRPP-ve disa herë për të njëjtin shërbim, pa e marrë përfundimisht atë dhe pa u sqaruar se çfarë mangësish ka praktika e tyre.
Ne jemi zotuar se do t’i zhdukim tri ‘zarfet’ e hallkave të korrupsionit: zarfin tek kthimi i pronave, zarfin tek legalizimet dhe zarfin tek regjistrimi i pronës”, tha Naço.
Më tej mbledhja vijoi me dyer të mbyllura, ku edhe vetë Kryeregjistruesi Ilirjan Muho u tërhoqi vëmendjen të gjithë drejtuesve të ZVRPP-ve në lidhje me masat që duhet të merren menjëherë, në mënyrë që të tilla raste të mos përsëriten më.