Naftëtarët në grevë/Nënkryetarja e LSI, Mehmetaj: Institucionet e drejtësisë të veprojnë. Rama një zhvatës i pangopur

Nënkryetarja e LSI-së, Kejdi Mehmetaj i bën thirrje institucioneve të drejtësisë që të veprojë për naftëtarët, pasi sipas saj ata janë në të drejtën e tyre që të marrin atë që ju takon. Në një deklaratë për mediat, ajo tha se situata vazhdon e përkeqësohet dhe akuzoi kryeministrin Edi Rama si zhvatës të pangopur. ”Thirjen e fundit nga kjo konferencë për shtyp ia drejtojmë pikërisht institucioneve të drejtësisë, Prokurorisë së Përgjithshme e SPAK-ut, të cilëve iu jemi drejtuar edhe më parë gjatë grevës që zhvilluan punonjësit e Pompave në Poçëm. Koha nuk pret, gjendja e naftetareve eshte renduar e per cdo minute qe nuk reagohet fajesia ndahet edhe midis tyre”,-tha Mehmetaj.

Deklarata e nënkryetares së LSI, Kejdi Mehmetaj

Ndodhem sot në këtë konferencë për shtyp për të denoncuar edhe njëherë aferën e rëndë korruptive që është bërë në rafinerinë e Ballshit. Pasojat e së cilës i vuajnë sot punonjësit të cilëve nuk iu janë paguar rrogat për një kohë të gjatë e vazhdojnë të mos paguhen.

Në këtë situatë, haptasi shteti është vendosur në krah të shkeljes së ligjit, në krah të oligarkëve dhe egërsisht kundër punonjësve, kundër naftëtarëve. Situata vazhdon e përkeqësohet, kur Edi Rama, ky zhvatës i pangopur, i fryrë deri në dendje në kurriz të shqiptarëve, i bën karshillëk naftëtarëve me deklarata si ajo e mëngjesit.

Sot ne të gjithë flasim me një ndjeshmëri më të lartë për situatën ku ndodhen naftëtarët, sepse prej disa ditësh tashmë në grevën e urisë janë futur gratë, nënat, disa prej të cilave sot kanë shfaqur edhe probleme me shëndetin e tyre dhe prap nga qeveria asgjë, asnjë reagim, asnjë veprim, vetëm arrogancë dhe përçmim.

Naftëtarët kërkojnë pagat e djersës së tyre, paga të cilat të mbledhura në total nuk e kalojnë vlerën e disa milionë eurove të cilat Edi Rama refuzon t’i paguajë dhe refuzon t’i detyrojë oligarkët t’i paguajnë, por sakaq jep 75 milionë euro për ndërtimin e inceneratorëve fantazëm. Edi Rama është i gatshëm të paguajë mbi 1 miliardë euro për rrugë, kostoja e të cilave as nuk i afrohet kësaj shifre, por refuzon t’u japë naftëtarëve pagat me të cilat ushqejnë familjet. Edi Rama që me gojën e tij pranon se taksidarët që ka lëshuar rrugëve të Shqipërisë kanë futur në xhepa miliona, nuk gjen fonde për të paguar rrogat e djersës e të gjakut.

Naftëtarët janë në të drejtën e tyre të revoltohen, të protestojnë, të futen në grevë, pasi punën e tyre e kanë kryer me përgjegjmëri e nder duke rrezikuar edhe shëndetin, sot u duhet të përballen me hajdutët që u rrëmbejnë edhe ato pak para që fitojnë. Sot kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, zonja Kryemadhi i është drejtuar me një letër institucioneve të drejtësisë, Prokurorisë SPAK-ut, Kontrollit të Lartë të Shtetit e Avokatit të Popullit, që të zbardhin çdo veprim të paligjshëm e korruptiv e t’u japin të drejtën punonjësve të rafinerisë.

Abuzimet me rafinerinë nuk po fillojnë sot, as pak muaj më parë, por prej vitesh ajo kalon në kalvare korruptive ku oligarkë të përzgjedhur të Kryeministrit, blejnë e shesin asete të vyera shtetërore, duke i shfrytëzuar e shkatërruar ato, pa paguar asnjë detyrim në shtet (taksa e sigurime) pa paguar punonjësit, pa paguar palët e treta e pa investuar qoftë edhe pak lekë në rafineri. Institucionet e drejtësisë dhe Kontrolli i Lartë i Shtetit duhet të hetojnë e zbardhin të gjithë abuzimet e shkeljet që janë bërë nga qeveria, qoftë sa i takon pagesave të pakryera, qoftë sa i takon ankandeve, qoftë sa i takon veprimtarisë së përbarimit.

Këto institucione të jenë të sigurta, se në mos sot, nesër, pas një jave apo pas disa muajsh drejtësia do të vihen në vend e askush nuk do t’i shpetojë dot përgjegjësive përpara ligjit. Thirjen e fundit nga kjo konferencë për shtyp ia drejtojmë pikërisht institucioneve të drejtësisë, Prokurorisë së Përgjithshme e SPAK-ut, të cilëve iu jemi drejtuar edhe më parë gjatë grevës që zhvilluan punonjësit e Pompave në Poçem. Ky është një shans i dytë për ta për të reaguar e për të bërë detyrën e tyre si mbrojtës të ligjit e për të vendosur veten nga ana e të drejtës e jo në krah të dhunuesve. Koha nuk pret, gjendja e naftetareve eshte renduar e per cdo minute qe nuk reagohet fajesia ndahet edhe midis tyre.

SHKARKO APP