Nard Ndoka flet pas titullit “Akademik”
Me ne fund foli vete Nard Ndoka. Kreu i PDK-së, Nard Ndoka ka folur për herë të parë publikisht për titulljn Akademik Nderi" që mori gjatë këtij muaji e që u transmetua me shumë bukë në portalet online apo rrjetet sociale. Nuk ka qenë i surprizuar, pasi thotë se e priste një titull të tillë.
"Nuk ishte surprizë, sepse nuk është titulli i parë që marr, kam marrë shumë tituj, certifikata, mirënjohje të ndryshme gjatë karrierës time politike. Me këtë Akademi italiane kam kohë që bashkëpunoj në fusha të ndryshme gjatë viteve të fundit. Titulli “Akademik Efektiv Nderi” vjen pikërisht prej bashkëpunimit me këtë Akademi dhe interesit të tyre për bashkëpunim me vendin tonë. Këtë titull e kanë marrë edhe mjaft politikanë të tjerë, ish-ministra dhe personalitete të fushave të ndryshme. Siç u shpreha dhe më lart unë kam marrë disa tituj të tjerë, në qershor të vitit 2013, kam marrë vlerësimin “Açademico d’Onore” (Akademik Nderi), nga Akademia Norman, “Ambasador i Paqes” në 2010-n, “Qytetar Nderi” në Bashkitë Vau-Dejës dhe Shëngjin, mirënjohje nga shumë shoqata të ndryshme. Por asnjëherë nuk jam mburrur me to, dhe as kam kërkuar që këto tituj të vijnë. Thjesht i kam vlerësuar kur më janë dhënë, tituj që nuk kanë asnjë kosto, por janë motivim dhe vlerësim për mua dhe atë që unë përfaqësoj, alternativën demokristiane" shprehet ai në një intervistë.
Demokristiani komenton edhe batutat që qarkullojnë nën emrin e tij në rrjetet sociale dhe thotë se ato janë të orkestruara nga politikanë të veçantë vetëm për ta denigruar.
"Në rrjetet sociale ka pasur një tendencë dashakeqe të personave anonimë, duke abuzuar me “lirinë”, që ofrojnë këto rrjete sociale, me mungesën e një ligji për mbrojtjen e personalitetit të çdo personi. Shpeshherë është kaluar edhe limiti, por nuk ju kam dhënë shumë rëndësi, për faktin se kemi të bëjmë me një fenomen negativ që po përhapet me shpejtësi, e që në shumë raste denigron figurën e kujtdo që guxon të përballet. Është kostoja e të qenit një figurë publike. Gjithsesi ky titull është një përgjigje për të gjithë ata anonime, që nuk u lodhën duke “hapur” faqe false në emrin tim në rrjete sociale, se “filozofi” anonim në faqet e tyre, është një “Akademik Efektiv Nderi” real dhe i vlerësuar nga institucionet ndërkombëtare. Puna ime, rezultatet, perfomanca, bashkëpunimi, prezenca në politikë, janë më të rëndësishme, se batutat shpeshherë të “gatuara” keq në rrjetet sociale, me tendencë denigruese".