Nard Ndoka: Një opozitë tjetër do ta fundoste Edi Ramën
Qeveria ka filluar me lehtësimin e disa masave të marra si pasojë e COVID-19. Për ish-ministrin e Shëndetësisë Nard Ndoka duhet të ishte vepruar më me seriozitet në lidhje me këtë situatë.
Ndoka ngriti çështjen e personave të cilat kishin lidhje me të prekurit nga koronavirusi dhe kthimin e qytetarëve nga vatrat e prekura, sipas tij nuk kishte një vëmendje nga ana e qeverisë për këto raste.
Në një intervistë në studion e“ABC News”, Ndoka tha se nëse do të ishin trajtuar që në fillim me seriozitet, edhe efikasiteti sipas tij do të ishte i dukshëm.
“Ne kemi një numër shumë të madh të prekurish nga COVID-19 që e kanë kaluar në shtëpi dhe nuk i është dhënë ndihma mjekësore. Gripi ka kaluar në dhjetor, janar dhe shkurt. 1800 persona në muaj vdesin në Shqipëri në kushte të tjera. Frika që futën autoritetet është e pafalshme dhe ka krijuar një kosto të madhe te qytetarët”, tha Ndoka.
Gjatë intervistës Ndoka u shpreh se kryeministri është treguar i paaftë në menaxhimin e kësaj situate. “I vetmi institucion që ka funksionuar realisht është opozita”, u shpreh ai.
Takime me opozitën?
Ndoka: Ne jemi në konsultim të përhershëm online me njeri-tjetrin. Lulzim Basha nuk e ka shfrytëzuar politikisht këtë situatë. Një lider tjetër do ta fundoste Edi Ramën për veprime të pakonsultuara, për masat drastike të panevojshme, për përpjekjen e qeverisë në këtë situatë pandemie, për të vjedhur. Një opozitë tjetër do ta fundoste.
Kryeministri Rama deri më tani i ka marrë vendimet për menaxhimin e krizës së koronavirusit duke mos u konsultuar me asnjë person tjetër, veç vetes. Të paktën kështu është shprehur ish-ministri i Shëndetësisë Nard Ndoka gjatë një interviste në studion e lajmeve të Abc News.
Ndërsa, sa i përket kërkesës së opozitës për mbylljen e fasonerive në vend, kreu i Partisë Demokristiane u shpreh se ai personalisht është kundër mbylljes, por sipas tij, në këto ambiente duhet ndjekur një protokoll i rreptë pasi kemi të bëjmë me ambiente të mbyllura.
Nard Ndoka shprehet: Jo t’i mbyllin fasonet por të vendosnin disa standarte. Të ruante ato standarte. Këto argumente absurde dhe të këtyre mjekeve që nxjerr ky, krijojnë terror, krijojnë frikë. Duhet pasur kontroll, kjo është ideja. Kërkesa e opozitës ishte me baze sepse nuk patëm një qeverisje fleksibël. Ky është mendimi im personal. Unë jam kundër edhe atyre që ka kërkuar opozita. Duhej një protokoll i qartë, jo jashtë kushteve normale të logjikes, të kenë një vëmendje të madhe, sepse janë shumë njerëz që punojnë në ambiente të mbyllura.
Më tej, Ndoka u shpreh që duhet të hapet jeta normale, pasi sipas tij nuk ka liri për qytetarët. Gjithashtu Nard Ndoka u shpreh që qeveria mund të kishte “kopjuar modelet e tjera” dhe të ndiqte ato.
Ndërsa, i pyetur se çfarë ndikimi do të ketë menaxhimi i koronavirusit dhe pasojave të tërmetit, në zgjedhjet që do të mbahen vitin tjetër, Ndoka u shpreh që mbi qeverinë mund të rëndojë pakënaqësia e madhe e qytetarëve.
Sipas tij, me vendimet e marra, Rama ka falimentuar biznesin e vogël, dhe pasi të dalim nga kjo krizë mund të përballemi me protesta jo-politike.
“Ne flasim për kushtet normale, por nuk flasim si do jenë pasojat e hapjes, do të jetë një krize shume e madhe, mund te ketë protesta te natyrave jo politike. Do të jetë pakënaqësia jashtëzakonisht e madhe. Janë shumë të mëdha këto pasoja, ekonomia është në kolaps. Mijëra biznese janë të falimentuara, shteti u hoqi edhe aftësinë që patën për t’u vetëpunësuar dhe shteti sot i nxjerr në rrugë e tallet edhe me pagesën e luftës. Nuk e kuptojmë që sa të mbarojë ky hall,kemi një hall akoma më të madh. Ky ka falimentuar gjysmën e Shqipërisë, nuk e di ça dëmi ka bërë. nuk e kupton që në sot në Fier e pritën me protesta… zgjedhjet janë në dorën e pakënaqësisë së qytetarëve shqiptarë”, u shpreh Nard Ndoka.