NATO tregon dhembet Rusise.Ka nisur stërvitja më e mëdhe e aleatëve të NATO-s pas Luftës së Ftohtë
Kjo eshte Ushtri.Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar mbrëmë se i kanë filluar ushtrimet ajrore ushtarake së bashku me aleatët, që janë më të mëdhatë në Evropë, prej përfundimit të Luftës së Ftohtë, derisa janë përshkallëzuar luftimet, ku përfshihen separatistët prorusë në pjesën lindore të Ukrainës.
Afro 5 mijë ushtarë nga 11 vende aleate të NATO-s po marrin pjesë në “operacionet shumëkombëshe simultane ajrore” në Gjermani, Itali, Bullgari dhe Rumani, që kanë filluar të shtunën, ka njoftuar nëpërmjet një kumtese ushtria e Shteteve të Bashkuara.
Ushtrimi Swift Response 15 (Përgjigjja e Shpejtë 15) është “ngjarja stërvitore më e madhe aleate në kontinent prej përfundimit të Luftës së Ftohtë”, thuhet në kumtesën e ushtrisë amerikane në Grafenwohr, në pjesën jugore të Gjermanisë, raporton AFP nga Brukseli.
Në këtë kumtesë nuk bëhet referencë për krizën në Ukrainë, ku trupat qeveritare po luftojnë kundër separatistëve prorusë, prej muajit prill të vitit të kaluar, nga i cili janë vrarë afro 7 mijë vetë.
Derisa ky konflikt ishte zbutur pas marrëveshjes për armëpushim në muajin shkurt, gjatë ditëve të fundit ky konflikt është përshkallëzuar.
NATO-ja, e përbërë nga 28 shtete anëtare, që udhëhiqet nga Shtetet e Bashkuara, javën e kaluar e ka mbrojtur numrin e ushtrimeve ushtarake, që i ka mbajtur si përgjigje ndaj “agresionit në rritje të Rusisë” dhe i ka hedhur poshtë sugjerimet se ato po e ndihmojnë shtimin e gjasëve për luftë në Evropë.
Në këto ushtrime, që zgjasin deri më 13 shtator, për të parën herë merr pjesë edhe Divizioni Ajror i 82-të i Shteteve të Bashkuara, prej mbështetjes së operacioneve të NATO-s në Kosovë në vitin 1999 (në Foto: pjesëtarë të ushtrisë së Shteteve të Bashkuara të vendosur në Kosovë gjatë një ushtrimi në shkurt të këtij viti).