Nazarko: Në përgjime shqetësues fakti se fitimi i tenderave apo lejeve të ndërtimit bëhet duke paguar 20%
Në një intervistë për Ora News, analisti Mentor Nazarko u shpreh se pesha e këtyre biznesmenëve të kapur në përgjime në Shqipëri ishte e shumave shumë të vogla.
Sipas Nazarkos, shqetësues është fakti se tenderat jepen me 20% dhe se garat e tenderat ekonomike janë të përcaktuara.
Nazarko: Pesha e këtyre biznesmenëve të kapur në përgjime në Shqipëri ishte e shumave shumë të vogla. Nuk e mohoj se dukuria më shqetësuese është fakti i njohur botërisht është se fitimi i tenderave apo lejeve të ndërtimit duhet të paguhesh 20%. Ne nuk kishim nevojë që të dëgjonim në përgjime këtë gjë se e dinim. Dhe së dyti fakti që garat në vendin tonë janë të përcaktuara. Këtu janë shfaqur lojtarë që i fitojnë këto tendera pasi kanë raporte të caktuara me pushtetin. Këto janë dukuri që e prishin garën ekonomike, se kur marrin 20% ata që vendonin për garën, rriten kostot dhe vritet konkurrenca.
Për këto raste duhet hetim edhe nga SPAK-u pasi është deformuar tregu. Për mua më e rëndë se sa çfarë përfaqësonin ata individë, është fakti se njihet botërisht që nuk ka garë dhe paguhet 20%. Kjo gjë duhet ndryshuar, dhe nëse kemi rrotacion duhet goditur ajo palë që ka bërë këto veprime. Po ashtu duhet hetuar edhe nga organet ligjzbatuese. Kjo është një dukuri e njohur në vendin tonë dhe është një dukuri shumë e rëndë. Në panoramën ekonomike të vendit ka rivalitet dhe ka shantazhe. Panorama është mikse.
Nazarko theksoi se fushata e partive politike në vend është normale dhe se vlerëson ofertat konstruktive që ka dhënë opozita.
Nazarko: Fushata më duket normale dhe konstruktive. E vlerësoj faktin që opozita po përfshihet në dimensionin propozues. Buxheti i shteti ka ardhur gjithmonë duke u tkurrur, sidomos për shkak të pandemisë dhe tërmetit, të bëj oferta bujare është legjitime që të pyesësh se ku mbështeten këto oferta. I konsideroj pozitive ajo që po bën PD në fushatë, si me karakter denoncues, por edhe me propozimet. Po ashtu PS është brenda atyre ka normave të kanuneve të fushatës. Ndërsa referuar rezultateve të sondazhit të Notto-s në RTV Ora, si dhe rezultateve të sondazheve të tjera, shihet një e dhënë shqetësuese pavarësisht se mazhoranca ka 8 vite në pushtet dhe ka pasur skandale, diferenca mes të majtës dhe së djathtës, sërish nuk është e madhe. Kjo diferencë duhet të ishte shumë e madhe ku ekziston fryma për ndryshim.