Ndalimi i takimeve politike, Mediu: Edi Rama po saboton procesin elektoral

Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, ka zhvillur një takim me drejtuesit e PR-së në të gjithë qarqet e vendit. Sipas njoftimit të zyrës së shtypit, thuhet se Mediu e ka cilësuar vendimin për ndalimin e takimeve politike, si veprim antikushtetues i Ramës ndaj opozitës. Për më tepër, ai akuzon kryeministrin Edi Rama, duke thënë se po saboton procesin elektoral.

”Ndalimi i takimeve politike është veprim antikushtetues i Edi Ramës kundër shqiptarëve dhe opozitës. Padyshim duhet të mbrohemi nga Covid-19 duke mbajtur maskat, por jo duke zbatuar urdhëra dhe vendime që nuk shpjegojnë arsye pse, apo që shkatërrojnë thelbin e demokracisë lirinë e qytetarëve. Qeveria dhe ekspertët kanë detyrimin të shpjegojnë arsyen dhe pasojat për çdo vendim. Duke u fshehur mbas ekspertëve Rama po saboton procesin elektoral me preteksin e luftës ndaj Covid-19. Opozita dhe shqiptarët duhet të mbrojnë lirinë e tyre, pranimi në heshtje i bllokimit të pluralizmit politik është vrastar për demokracinë dhe qytetarët”,-tha Mediu.

Sipas njoftimit, thuhet se Partia Republikane edhe në kushte të tilla, do të vazhdojë aktivitetin e saj elektoral në grupe për çdo qendër votimi dhe me kandidatët e saj për deputet.

SHKARKO APP