Ndalimi i tubimeve politike/Mediu: Qeveria po tenton një fushatë “virtuale” të gënjeshtërt
Partia Republikane ka vendosur që të dërgojë në Gjykatën Kushtetuese kërkesën që është bërë nga Komisioni Teknik për të ndaluar tubimet dhe mbledhjet e më shumë se 10 personave. Kreu i PR-së, Fatmir Mediu, thotë se e shqetëson pabarazia politike sepse mazhoranca sipas tij, i ka të gjitha kushtet për të zhvilluar aktivitetin e saj politik.
“Pavarësisht se jemi në pandemi apo jo, ne kemi një Kushtetutë që duhet të respektohet, që duhet t’i vendosë të gjithë të barabartë para saj. Ajo që shtohet sot është pamundësia për të zhvilluar zgjedhjet. Urdhri që ka dalë nga Komiteti i Ekspertëve thotë që të ndalohen grumbullimet me më shumë se 10 persona në vende të hapura dhe të mbyllura. Pastaj thotë ndalohen tubimet dhe mbledhjet partiake. Ajo që na shqetëson është analiza se përse 10 dhe jo 5 apo 50. Ajo që shton shqetësimin është pabarazia politike sepse mazhoranca i ka të gjitha kushtet për të zhvilluar aktivitetin e saj politik dhe kjo duket hapur kur Edi Rama ka 40 persona nga mbrapa, po ashtu dhe aktivitetet që kryen Kuvendi. Po ashtu, kemi dhe një korrespondencë të kryetarit dhe Kuvendit se çfarë duhet të bëjë parlamenti pas këtij urdhri dhe ajo që duket qartë është analiza e njëanshme e urdhrit sepse thuhet që parlamenti mund të mblidhet në çdo kohë, sa të duan, mjafton që të zbatohen rregullat e pandemisë. Atëherë pyetja është çfarë autoriteti ka mbi Kushtetutën, kryeministri, kreu i Kuvendit përballë Kushtetutës?”, tha kreu i PR për ”A2cnn”.
Nga ana tjetër, Mediu shprehet se qeveria po tenton të kryejë dhe një fushatë virtuale. ”I thua opozitës që nuk mund të bëjë aktivitete ndërsa mazhoranca mund të kryejë sa të dojë. Por nuk mbaron këtu, shqetësimi është më i thellë. Këtu po tentohet që përpara procesit të votimit të ndalohet konkurrimi i barabartë i partive politike. Biles po mendohet sipas disa qëndrimeve politike nga mazhoranca për një fushatë “virtuale”, që është një gënjeshtër e madhe për qytetarët shqiptarë. Problemet janë të thella dhe politika kërkon komunikim të drejtpërdrejt me qytetarin”.