Ndarja e Shqipërisë në 4 zona, Vasili: Buron nga paniku, rrëmbim i pushtetit lokal
Një nga projektet e fundit të qeverisë, në kuadër të koordinimit rajonal, është ndarja e Shqipërisë në 4 zona. Nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili thotë për ”A2cnn”, se ky vendim konfigurohet si rrëmbim i pushtetit lokal për hir të qeverisë, e neveritshme.
Çdo gjë jashtë tekstit themeltar të vendit duhet të kalojë të paktën përmes diskutimeve publike, diçka që sipas nënkryetarit të LSI-së ka ndodhur në mënyrë aspak transparente dhe të dyshimtë.
Sipas Vasilit, arsye e këtij projekti të ri që sipas tij zhbën reformën e vitit 2015 buron nga ”paniku që i kaplon, prandaj duhet rrëmbyer pushteti dhe paratë e fundit. Njerëzit kanë filluar të qajnë komunat e dikurshme”.
Për të, Rama dhe mazhoranca e ka “shqyer vetë kontratën me popullin, dhe ajo nuk qepet më, kjo do të zyrtarizohet ditën e zgjedhjeve”.