Ndarja nga jeta e Nishanit, rrëfimi emocional nga Berisha: Humba mikun më të mirë

Ish-Presidenti Bujar Nishani humbi jetën në Gjermani, dhe kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha shprehur se i ndjeri ka qenë një ndër bashkëpunëtorët e tij më të çmuar. Për “Opinion”, ai tha se ndarja është një humbje e madhe për shtetin shqiptar, për Partinë Demokratike dhe për shoqërinë shqiptare.

“Bujar Nishani ka qenë një ndër bashkëpunëtorët e mia më të çmuar, një ndër politikanët më të ndershëm të këtij vendi, një nga shërbëtorët më besnikë të shqiptarëve, një nga shtetarët më dinjitozë të shtetit, një nga presidentët që i dha vendit nder çdo ditë që qëndroi si përfaqësues i tyre. Në këto 30 vite, Nishani ka qenë një nga drejtuesit më të rëndësishëm të PD-së. Në këto kontekst, është një humbje e madhe për shtetin shqiptar, për PD-në, për shoqërinë shqiptare”.

Për kreun e PD-së, nga ana personale, humbja e ish-Presidentit shqiptar, Bujar Nishanit është shumë e dhimbshme pasi siç e thotë Berisha ka humbur një prej miqve të tij më të mirë të gjithë jetës politike dhe ndihet krenar për miqësinë që kanë pasur.

“Për mua personalisht është një humbje shumë e dhimbshme, humba një prej miqve të mi më të mirë të të gjithë jetës time politike. Ndihem pafundësisht i detyruar ndaj tij, ndihem krenar për miqësinë që patëm. Ndihem krenar me bashkëpunimin e përkryer që kemi patur me njëri-tjetrin dhe që pata një bashkëpunëtor si ai. Bujar Nishani vdiq para kohe, në moshën 56-vjeçare, por ai lë një trashëgimi të rrallë për të gjithë ata që e kanë njohur”,-tha për emisionin “Opinion”.

SHKARKO APP