Ndarja nga jeta e Petrit Murzakut, Presidenti Meta: Humbje e madhe, një sportist universal

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të ikonës së Klubit Sportiv “Partizani”, Petrit Murzaku. Përmes një mesazhi në facebook, kreu i shtetit e ka quajtur Murzakun një sportist universal dhe me një karrierë të jashtëzakonshme si trajner e pedagog. ”Me mbi 100 ndeshje ndërkombëtare të zhvilluara në volejboll dhe basketboll, prej të cilave 57 të fituara, Profesor Murzaku, pas karrierës si sportist, spikati si trajner dhe më pas pedagog në Shkollën e Mesme Ushtarake “Skënderbej” dhe Shkollën e Lartë të Bashkuar të Oficerëve, ku përgatiti breza të tërë kuadrosh të sportit, ushtrisë e forcave speciale”,-shkruan Meta në facebook.

Postimi i plotë

Pikëllues lajmi për ndarjen nga jeta të ikonës së Klubit Sportiv “Partizani”, Profesor Petrit Murzaku, sportistit kampion universal, me një karrierë të jashtëzakonshme edhe si trajner e pedagog.

I angazhuar në shumë disiplina sportive, Profesor Murzaku, në vitet 1948-1964, fiton 25 tituj kampion, 9 herë kampionatin kombëtar të Volejbollit, 4 herë kampionatin kombëtar të Basketbollit, 3 herë kampionatin kombëtar të Futbollit, si dhe 9 herë kampion në hedhjen e shtizës, në të gjitha si lojtar i ekipit të Tij të zemrës “Partizanit”.

Me mbi 100 ndeshje ndërkombëtare të zhvilluara në volejboll dhe basketboll, prej të cilave 57 të fituara, Profesor Murzaku, pas karrierës si sportist, spikati si trajner dhe më pas pedagog në Shkollën e Mesme Ushtarake “Skënderbej” dhe Shkollën e Lartë të Bashkuar të Oficerëve, ku përgatiti breza të tërë kuadrosh të sportit, ushtrisë e forcave speciale.

Ngushëllimet më të sinqerta familjes e të afërmve, si dhe të gjithë tifozëve të Klubit Sportiv “Partizani”, për këtë humbje të madhe! Lamtumirë Kampioni ynë Petrit Murzaku!

SHKARKO APP