“Nderi i Kombit”, Meta: Heronjtë e Kodrës së Kuqe, Vojo Kushi, Sadik Stavileci, Xhoxhi Martini dhe Muharrem Llanaj zënë vendet e nderit në Luftën e popullit
Presidenti i Republikës, Ilir Meta vlerësoi sot me dekoratën “Nderi i Kombit” heronjtë legjendarë të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, Vojo Kushi, Sadik Stavileci dhe Xhoxhi Martinin (pas vdekjes), të cilët ranë heroikisht në luftë me pushtuesit italianë gjatë betejës epike në “Kodrën e Kuqe” në Tiranë.
Përmes rrjeteve sociale, Presidenti Meta vlerëson rlin dhe kontributin e “Heronjve të Kodrës së Kuqe”, duke u shprehur se kur flasim për vetëmohimin, trimërinë e heroizmin partizan dhe të luftëtarëve për liri, padyshim, Vojo Kushi, Sadik Stavileci, Xhoxhi Martini dhe Muharrem Llanaj zënë vendet e nderit në Luftën e popullit tonë kundër bishës nazi-fashiste!
Mesazhi i Presidentit
“Prej lufte veç ai largohet,
Që është lindur tradhëtor,
Kush është burrë nuk frigohet,
Por vdes, por vdes si një dëshmor!”🇦🇱
Kur flasim për vetëmohimin, trimërinë e heroizmin partizan dhe të luftëtarëve për liri, padyshim Heronjtë e Kodrës së Kuqe, Vojo Kushi, Sadik Stavileci, Xhoxhi Martini dhe Muharrem Llanaj zënë vendet e nderit në Luftën e popullit tonë kundër bishës nazi-fashiste!
Ata luftuan në krah të njëri-tjetrit, duke u shndërruar në Heronj Legjendarë dhe frymëzues të përjetshëm në betejat për liri, pasi shpalosën para gjithë botës virtytet më të arrira të shqiptarit si atdhedashuria, burrëria, besa e trimëria.
Të rrethuar, ata bënë një luftë të pabarabartë, kundër qindra fashistëve e xhandarëve të armatosur gjer në dhëmbë.
Për Vojon, Sadikun, Xhoxhin, por edhe Muharremin nuk kishte mbetur rrugë tjetër veç t’i qëndronin Himnit Kombëtar dhe të qëndronin si burrat deri në pikën e fundit të gjakut.
Për rolin e shquar në mbrojtje të lirisë së Atdheut, shembull frymëzimi për të gjithë gjeneratat e reja, pata sot nderin të vlerësoj Heronjtë dhe luftëtarët legjendarë të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, Vojon Kushin, Sadik Stavilecin e Xhoxhi Martinin me Dekoratën e lartë “Nderi i Kombit”, si dhe Muharrem Llanaj me “Dekoratën e Artë të Shqiponjës”.