Ndërprerja e energjisë elektrike, zv/kryeministrja Balluku: Në Tiranë u rikthye për 17 minuta

Tirana dhe një pjesë e qyteteve të vendit përjetuan mesditën e sotme rreth 30 minuta black out. Operatori i Sistemit të Transmetimit ka sqaruar se defekti ka filluar nga linja e interkoneksionit me Greqinë dhe më pas ka vazhduar me efekt kaskadë në të gjithë vendin.

Zv/kryeministrja dhe njëherësh edhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku mbajti deklaratë për mediat mbi situatën e furnizimit me energji elektrike në të gjithë vendin.

”U përballëm me një situatë kritike sa i takon sistemit të transmetimit të energjisë elektrike. Duke nisur nga linja e interkonjeksionit me Greqinë, kemi pasur shkëputje elektrike në të gjithë Shqipërinë. Jemi informuar se e njëjta situatë ka ndodhur edhe në Mal të Zi dhe pjesërisht në Kroaci dhe Maqedoni.

Volumet e mëdha në këto momente dhe temperaturat e larta në nivele rekord kanë krijuar këtë problematikë. U vendos energjia elektrike në rang vendi për 30 minuta, ndërkohë që Tirana në vetëm 17 minuta. Jemi në komunikim të vazhdueshëm me të gjithë operatorët në rajon”,-tha Balluku.

SHKARKO APP