Ndërpritet seanca pasi PD kërkon Ramën në sallë/ Balla: Rregullorja ka ndryshuar. Nikolla: Do të vi në orën 17:00
Partia Demokratike kërkon prezencën e kryeministrit Edi Rama në Kuvend, në mënyrë që të vijojnë seanca për oponencën ndaj programit qeverisës. Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla ka bërë me dije se kryeministri do të jetë në sallë në orën 17:00. Nga ana tjetër, kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla tha se rregullorja ka ndryshuar.
”Zonja kryetare, neni 110 nuk kushtëzon asnjë deputet, as kryeministrin që të qëndrojnë përgjatë gjithë debatit. Është shembull dhe standard, që vitet që vijnë pas le ta kthejnë në standard. Kur kam qenë unë në opozitë është që kryetari i opozitës ka të njëjtën kohë si kryeministri. Për kalamajtë që nuk e mbajnë mend rregulloja ka ndryshuar pas vitit 2013. Është një zhurmues në krah të djadhtë që duhet të ndalojë emetimin. Nëse i referehemi asaj që është e drejta zakonore, kurrësesi nuk është ndërprerë debati se kryeministri nuk është në sallë”,-tha Balla.
Kreu i PD-së, Lulzim Basha, të cilit i është dhënë fjala nga kryeparlamentarja Nikolla nuk ka pranuar të flasë pa ardhur kryeministri në sallë.
Alfred Rrushaj: Unë nuk mendoj që ka seancë më të rëndësishëm plenare sesa sot ku do të miratohet plani që ka qeveria dhe kryeministri për katër vitet e ardhshme, këtu ta ndërpresim seancën.
Lindita Nikolla: Unë kam një lajmërim që mungesa e tij është për arsye shumë të rëndësishme pune.
Taulant Balla: Unë e kuptoj që opozita dhe kryetari i opozitës ka dëshirë të marri fjalën kur të jetë kryeministri në sallë. Por të nisim me deputetët e tjerë dhe kryetari i opozitës ta marri fjalën kur të jetë kryeministri në sallë.
Alfred Rushaj: U bënë disa herë që kërkojmë gjëra që janë të ligjshme, kushtetuese dhe ju na i refuzoni. Ne jemi të gatshëm të ndërpresim seancën, të presim kryeministrin sapo të mbarojë kryeministri dhe të nisim përsëri.
Lindita Nikolla: Unë kam njoftim që zoti kryeministër në orën 17:00 do të jetë këtu dhe të nisim me deputetët e tjerë.
Alfred Rrushaj: Në këto kushte ne si grup parlamentar duam të marrim një vendim dhe kërkojmë të ndërpritet seanca.
Lindita Nikolla: Sa kohë doni?
Alfred Rrushaj: 47 minuta.
Lindita Nikolla: Okay, atëherë bëjmë 15 minuta pushim.