Ndërrimi i viteve, shefi i Rendit Publik: Prani e shtuar e efektivëve në sheshe, qendra tregtare dhe banka

Më rastin e ndërrimit të viteve Policia e Shtetit ka ndërmarrë një sërë masash për të bërë të mundur garantimin e sigurisë publike.

Shefi i Rendit Publik pranë Policisë së Shtetit, Agron Çeli thotë se do të ketë prani të shtuar të efektivëve të Policisë në sheshe, qendra tregtare, banka dhe në ambiente ku do të ketë festime.

“Shërbimet e Policisë do të patrullojnë dhe do të mbajnë në mbikëqyrje qendrat tregtare, bankat dhe bankomatet. Përveç shesheve dhe ambienteve ku do të festojnë qytetarët janë edhe lokalet, ku do të bëhen festime, shërbimet e policisë do t’i mbajnë në mbikëqyrje. Po ashtu, shtim të forcave do të kemi edhe në aeroport, atje ka disa kohë që kemi shërbime dhe në këtë periudhë ka shërbime të shtuara edhe nga forca kombëtare e sigurisë”, tha ai.

Çeli tha se një shtim të forcave të Policisë do të ketë edhe në pikat e kalimit kufitar.

“Plani i masave konsiston në garantimin e rendit dhe sigurisë publike në të gjitha sheshet ku do të ketë grumbullime për të festuar. Ata dalin në sheshe kryesore dhe festojnë dhe të gjithë punonjësit kanë marrë detyrat konkrete dhe themi se nuk do të ketë problematika. Kemi punuar edhe për rritjen e parametrave të sigurisë publike dhe të sigurisë rrugore në pikat e kalimit kufitar”, tha ai.

Shefi i Sektorit të Rendit Publik u bëri thirrje qytetarëve që të mos dalin me makina nëse janë nën efektin e alkoolit.

“Pas festimeve në lokale dalin dhe janë në efektin e alkoolit dhe shërbimet e policisë do të jenë prezentë në rrugë për të bërë edhe testin e alkoolit. Përfitoj që t’i bëj thirrje që kur të dalin për të festuar të mos dalin me mjetet e tyre kur janë nën efektin e alkoolit që të shmangin ngjarje jo të këndshme”, tha Çeli në një intervistë televizive.

/r.e/ ATSH

SHKARKO APP