Ndërtimi i bazës së NATO-s në Porto Romano, Balluku: Puna është në një fazë të avancuar

Zv/kryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku deklaroi sot se diskutimet për ndërtimin e një baze të NATO-s në Porto Romano janë në një fazë të avancuar. Gjatë prezantimit të projekteve infrastrukturore dhe energjetike për vitin 2025 në Komisionin Parlamentar për Ekonominë dhe Financat, Balluku tha se linja hekurudhore që do të lidhë portin e Porto Romanos dhe bazën e NATO-s, me pjesën tjetër të Korridorit VIII, do të jetë një nga linjat më të rëndësishme në Republikën e Shqipërisë.

”Sa i takon korridorit të VIII, një projekt i rëndësishëm është rehabilitimi i linjës Durrës-Rrogozhinë. Korridori i VIII është një korridor, jo vetëm transporti, por edhe energjetik dhe korridor sigurie. Ne jemi ulur në tryezë me drejtues të NATO-s për të shprehur dëshirën tonë për të pasur në të ardhmen në zonën e Porto Romanos jo vetëm një port komercial, por edhe një bazë të NATO-s. Jemi të avancuar në këtë proces, ndaj linja hekurudhore që do të lidhë portin e Porto Romanos dhe bazën e NATO-s, me pjesën tjetër të Korridorit VIII, do të jetë një nga linjat më të rëndësishme në Republikën e Shqipërisë”, deklaroi Balluku.

Kjo linjë do të bashkërendohet me 4 vendet e tjera, që janë krijuese të Korridorit VIII, Itali, Shqipëri, Maqedoni e Veriut dhe Bullgari. Sipas Ballukut, aksesi nga Deti Mesdhe në Detin e Zi është synimi kryesor i këtij korridori që ndikon ndjeshëm në komponentët që lidhen me transportin, ekonominë dhe sigurinë për kryeqytete si Shkupi, Sofja, Beogradi, Zagrebi, Lubjana e Budapesti duke i dhënë një zhvillim.

SHKARKO APP