Ndjesa e Xhelal Mziut, reagon Yuri Kim: Më vjen mirë që shoh ndjesë të qartë, koha e grupeve të armatosura ka marrë fund
Ambasadorja amerikane në Tiranë Yuri Kim ka reaguar pas ndjesës publike dhe pendesës së kandidatit të Partisë Demokratike në Dibër, Xhelal Mziu lidhur me një deklarate që kishte bërë gjatë mbylljes së fushatës elektorale. Në një postim në Twitter, Yuri Kim thekson se dhuna në Elbasan “nuk mund të justifikohet, nuk duhet të përsëritet”. Sipas diplomates, “ky incident nuk duhet të përdoret për të sulmuar me egërsi njërën palë ose tjetrën, për të nxitur emocione në mesin e mbështetësve”, teksa thekson se kjo ngjarje duhet të bëjë “që të gjithë udhëheqësit të reflektojnë se si ata mund ta çojnë këtë Shqipëri larg nga e kaluara dhe drejt një të ardhme më të mirë”.
POSTIMI I PLOTE I YURI KIM
Mirë të shohësh ndjesën e qartë nga Dibra. Dhuna e shkaktuar në Elbasan këtë javë nuk mund të justifikohet, nuk duhet të përsëritet.
Ditët e grupeve të armatosura që mbajnë anën e ndonjë partie politike dhe “patrullojnë” rrugët, i përkasin të kaluarës, një e kaluar e shëmtuar që të gjithë ne duhet ta refuzojmë.
Ky incident nuk duhet të përdoret për të sulmuar me egërsi njërën palë ose tjetrën, për të nxitur emocione në mesin e mbështetësve.
Përkundrazi, kjo duhet të bëjë që të gjithë udhëheqësit të reflektojnë se si ata mund ta çojnë këtë Shqipëri larg nga e kaluara dhe drejt një të ardhme më të mirë.
Por në reagimin e tij pasi deklarata e tij shkaktoi komente të shumta në internet, Mziu thotë se “jam penduar thellë për komentin tim dhe kërkoj ndjesë para gjithë shqiptarëve”. “Dua të jem i qartë: unë mbështes zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe jam KUNDËR dhunës!”, thekson Mziu në reagimin e tij.