Ndoka: Nëse humbim zgjedhjet, largohem nga drejtimi i partisë!
Kreu i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka, i ftuar në emisionin Arena nga Dritan Hila në RTV ORA, tha se nëse opozita do të humbasë në zgjedhjet e ardhshme të 25 prillit ai do të largohet nga kryesimi i PDK.
“Nëse opozita do të humb në zgjedhjet e 25 prillit, unë largohem nga drejtimi i Partisë Demokristiane”, tha Ndoka.
Kreu i PDK-së, Nard Ndoka u shpreh se në vitin 2008 kishte një divorc me Berishën.
Ai shtoi se aso kohe PDK kishte një oponencë edhe për vetë Berishën në parlament pasi kishte rritje si parti në zgjedhje.
“Në vitin 2008 unë kam pasur divorc me Berishën aso kohe dhe kam votuar kundër ndryshimeve kushtetuese. Kam pasur një përçarje me të.
Berisha nuk është fshehur në atë kohë sikurse bën Rama sot. Berisha qartësisht i tha Ramës që duhen bërë këto ndryshime, edhe pse Rama i bënte për të ndëshkuar LSI-në .
Ne aso kohe ishim një oponencë edhe për vetë Berishën në parlament pasi kishim rritje si parti. Ne na kanë shikuar me xhelozi, edhe PD na ka sulmuar. Ishte dakord me PS-në që merreshin votat e PDK-së”, deklaroi Nard Ndoka.
Kreu demokristian, duke folur për marrëveshjen e 2017 mes Ramës dhe Bashës, tha se as tani nuk ja ka besimin 100% Bashës.
Andoni: Zoti Ndoka, më dukeni sikur po flisni sikur Basha është kryetar i Partisë suaj.
Ndoka: Basha është lideri i opozitës, normale që ka përgjegjësinë më të madhe, dhe e respektoj për këtë, ndërsa kur vjen puna tek Partia Demokristiane nuk ja lejoj zotit Basha vendin, as në mendime.
Andoni: Në vitin 2017, Basha që pati një mbështetje goxha të madhe, dhe ju keni qenë kontribuues, ai në një moment të papritur bëri atë që bëri me zotin Rama, dhe një gjë e tillë po përthithet akoma.
Ndoka: Basha ka kërkuar falje në mënyrë publike, dhe ka thënë nuk e përsëris, dhe nëse e përsërit do të jetë katastrofë e madhe personale.
Andoni: Asnjëherë në politikën shqiptare nuk mund të thuash kurrë
Ndoka: Normale, as unë nuk e kam besimin 100%.
Hila: Nuk ja ke besimin Bashës?
Ndoka: Situatës politike, realitetit.