Ndoka për ”KJ: Një vjeshtë me “pandemi politike” për Ramën
Kreu i PDK-së dhe aleat i PD-së, Nard Ndoka, thotë se ambasadorja e SHBA-së, Yuri Kim kërkon konsensus politik. Në një prononcim për “Koha Jonë”, ai thotë se kryeministri Edi Rama me mos tërheqjen nga seanca e sotme për votimin e ndryshmeve Kushtetuese, do të përballet me shumë të papritura nga ndërkombëtarët. Nga ana tjetër, Ndoka parashikon edhe një vjeshtë të mbushur me “pandemi politike” ndaj Ramës.
“Së pari, nuk ka një bekim nga Ambasadorja e SHBA-së, përkundrazi ka një përkushtim maksimal për konsensus dhe dialog mes palëve dhe respekt për qytetarët që përfaqësohen nga Partitë e Opozitës, që në fakt janë shumicë.
Së dyti, Opozita e Bashkuar do të marrë vendimet e duhura politike, për të zhbërë çdo tentativë që rrezikon standardet dhe përfaqesimin e votës në Kuvend e Bashki. Rama do përballet me shumë të papritura të pakëndëshme nga faktori ndërkombëtar.
Ai do të penalizohet në mënyrë nominale, por edhe vendi ynë do vuajë pasojat e kësaj qeverisje aventuriere, të korruptuar dhe të papërgjegjshme. Një vjeshtë e mbushur me “pandemi politike” do vijë për Ramën e Rilindjen”.
R.Shtylla