Ndryshime në SPAK, lëvizjet e firmosura nga Dumani
Me plotësimin e numrit të prokurorëve në organikën e SPAK-ut, kreu i këtij institucioni Altin Dumani, ka bërë një rimodelim të dy seksioneve hetimore që funksionojnë në Prokurorinë e Posaçme.
Dy prokurorët Ervin Kondili dhe Manjola Kajana që kanë shërbyer për gati 5 vite me radhë në Seksionin e Krimit Financiar dhe Shpërdorimit të Detyrës, me urdhër të Dumanit janë larguar, duke u transferuar në Seksionin Hetimor të Krimit të Organizuar.
Në vend të tyre tek seksioni hetimor i krimit financiar janë emëruar dy prokurorët e rinj që erdhën në SPAK në fillim të muajit Gusht, Anita Jella dhe Bledar Maksuti.
Në total, aktualisht SPAK-u ka 20 prokurorë të cilët funksionojnë në tre seksione që janë Seksioni Kundër Krimit Financiar, Seksioni Kundër Krimit të Organizuar dhe Drejtoria e Marrëdhënieve me Jashtë.