Ndryshimet Kushtetuese/Basha priti ambasadorët e SHBA, BE dhe Britanisë së Madhe
Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka pritur këtë të martë në selinë blu ambasadorët e SHBA-së, BE-së dhe Britanisë së Madhe në vendin tonë. Takimi me fokus ndryshimet Kushtetuese për Reformën Zgjedhore zgjati për rreth 90 minuta.
Fillimisht në selinë blu mbërriti ambasadori i BE-së, Luigi Soreca dhe më pas ambasadorja e SHBA-së, Yuri Kim. Të pranishëm ishin edhe përfaqësuesit e PD-LSI në Këshillin Politik, Oerd Bylykbashki dhe Petrit Vasili.
Parlamenti votoi javën e kaluar marrëveshjen e 5 Qershorit të arritur mes shumicës parlamentare dhe opozitës jashtë parlamentit, ndërsa në seancën e së enjtes, bashkë me opozitën brenda parlamentit, socialistët janë zotuar të votojnë ndryshime kushtetuese, që rikthejnë listat e hapura në zgjedhjet parlamentare dhe të rregullojnë koalicionet. Pika e dytë është kundërshtuar nga PD dhe aleatët e saj pasi, sipas tyre, formula e koalicioneve duhet të qëndrojë siç është.