Ndryshimet në qeveri, Basha: Rama gënjeu! Kupa është mbushur
Kreu i PD-së, Lulzim Basha ka reaguar menjëherë në lidhje me ndryshimet e reja në kabinetin qeveritar. Sipas tij, Rama ka gënjyer duke i dhënë Shqipërisë premtime boshe, ndërkohë që shton i prerë se kupa është mbushur.
Postimi i plotë
Edhe në fundit të vitit, Rama bëri atë që di të bëjë: gënjeu. Ai i ka dhënë Shqipërisë vetëm premtime boshe. Ai gënjen kur flet për ndihmë ekonomike. Fakti është se Shqipëria është vendi që jep ndihmën më të vogël ekonomike për qytetarët e saj.
Kosto e jetesës rritet dita ditës, papunësia shtohet përditë, bizneset dhe dyqanet mbyllen dhe familjet shqiptare nuk marrin ndihmë nga qeveria. Por këto fakte nuk e pengojnë Ramën të gënjejë dhe të thotë se “çdo gjë është në rregull”.
Kur i mohon problemet ku je zhytur, si mund t’i zgjidhësh ato? Kupa është mbushur! Pas 7 vitesh dështime, Rama mund të ofrojë vetëm dështime të tjera më të mëdha. Shqipëria ka nevojë për ndryshim. Shqipëria ka nevojë për shpresë të re. Shqipëria ka nevojë për një qeveri që kujdeset për popullin, jo një qeveri që kujdeset për veten. Ky vit i keq do të kalojë dhe ne së bashku do t’i kthejmë shpresën Shqipërisë.