Ndryshimi i rregullave para zgjedhjeve, Opozita e Bashkuar letër OSBE/ODIHR-it për 5 çështje kyçe

Opozita e Bashkuar paraqiti në mbledhjen e Këshillit Politik një kërkesë konkrete për të marrë asistencën e OSBE\ ODIHR për disa çështje themelore për të cilat palët nuk bien dakord. Deri tani, PS ka refuzuar t’i bashkohet kërkesës, duke përdorur “sovranitetin” si argument kundër përfshirjes së OSBE/ODIHR, megjithëse kjo është pjesë e marrëveshjeve për reformën zgjedhore. 5 pyetjet kryesore, të ngritura në kërkesën e paraqitur nga opozita, kërkojnë përgjigje për:

1. A përputhet me standardet ndërkombëtare mekanizmi aktual i Kodit për koalicionet dhe formula e shpërndarjes së mandateve?
2. A i lejon listat e hapura mekanizmi dhe formula aktuale dhe a është në përputhje me standardet e OSBE/ODIHR.
3. A mund të ndryshohen njëanshmërisht rregullat zgjedhore 6 muaj para zgjedhjeve?
4. A minon barazinë në garë dhe a bie ndesh me disa standarde të OSBE/ODIHR ndryshimi i njëanshëm i rregullave shumë afër zgjedhjeve?
5. Në kushtet e mosdakordësisë, cila është një zgjidhja në përputhje me standardet e OSBE/ODIHR për zgjedhje demokratike?

Në letrën drejtuar OSBE/ODIHR, ku shpjegohet edhe qendrimi i palëve, opozita thekson se koha e përgjigjes është shumë e rëndësishme.

“Do ta vlerësonim shumë përgjigjen e shpejtë ndaj çështjeve të mësipërme, pasi është shumë e rëndësishme për të adresuar mosmarrëveshjet mes palëve, me synim gjetjen e një zgjidhjeje të pranueshme për palët, që do të krijonte një klimë besimi të qytetarëve në një proces zgjedhor demokratik.”- thuhet në kërkesën e Opozitës së Bashkuar drentuar OSBE/ODIHR-it.

Letra drejtuar OSBE/ODIHR-it

Tiranë, 22 Shtator 2020

E nderuar zonjë / Zotëri,

Faleminderit për ndihmën e vlefshme që OSBE / ODIHR i ka dhënë Këshillit Politik në procesin e reformës zgjedhore në Shqipëri.

Më pak se dy muaj pasi ligji i 23 korrikut rikonfirmoi mekanizmin ekzistues të koalicioneve dhe ndarjes së mandateve, partia në pushtet po propozon ta ndryshojë atë. Ajo propozon që në vend të listave të përbëra, koalicionet duhet të paraqesin një “listë të përbashkët” të vetme, e cila më pas do të ndryshonte rrënjësisht rregullat e zgjedhjeve që rregullojnë transformimin e votave në vende. Modeli i listës së përbashkët dhe formula e lidhur me të për ndarjen e mandateve që partia në pushtet propozon, është zbatuar në zgjedhje të mëparshme midis 2000 dhe 2001 në Shqipëri dhe është shfuqizuar me konsensualitet dhe është zëvendësuar në 2003 me modelin ekzistues të listave të përbëra.

Opozita ka kundërshtuar propozimin e partisë në pushtet dhe ka kërkuar të ruhet mekanizmi ekzistues i “aleancës elektorale” me listat e përbëra dhe formulën përkatëse të ndarjes së mandateve që është tashmë në fuqi. Më 6 shtator Presidenti i Republikës ka vendosur që data e përgjithshme e zgjedhjeve është 25 Prill 2021. Si pasojë, procesi zgjedhor ka filluar zyrtarisht dhe partitë politike kanë fituar tashmë të drejtën për t’u regjistruar si subjekte zgjedhore, duke filluar nga 7 shtatori deri në 70 ditë para deri në ditën e zgjedhjeve. Opozita gjykon se rregullat themelore që rregullojnë konkurrencën zgjedhore midis partive politike kundërshtare si dhe shpërndarjen e mandateve në përputhje me votat përkatëse, nuk mund të ndryshohen pasi ka filluar procesi zgjedhor. Opozita gjykon se veprime të tilla prekin parimet e stabilitetit të ligjit, sigurinë ligjore dhe fushën e barabartë të lojës, të cilat janë vendimtare për të respektura angazhimet e OSBE-së për zgjedhje demokratike. Opozita vlerëson se propozimi i partisë në pushtet për të ndryshuar rregullat diktohet nga interesat e menjëhershme politike të partisë në pushtet dhe ka për qëllim manipulimin e sistemit në avantazhin e vet.

Marrëveshja e 14 Janarit 2020 parashikon që partitë në Këshillin Politik të kërkojnë konsensus për çështjet e reformës zgjedhore dhe në rast se kjo nuk është e mundur, palët do të kërkojnë mendimin e ekspertëve të OSBE / ODIHR. Bazuar në këtë marrëveshje, ne kërkojmë mendimin dhe ndihmën e ekspertëve tuaj për çështjet e mëposhtme:

  1. A janë dispozitat në fuqi të Kodit Zgjedhor në lidhje me mekanizmin e koalicioneve zgjedhore dhe formulën përkatëse për ndarjen e mandateve në përputhje me standardet ndërkombëtare?
  2. A e pengon mekanizmi në fuqi i koalicioneve zgjedhore dhe formula përkatëse për ndarjen e mandateve, futjen e listave të hapura? Në rast se legjislacioni miraton listat e hapura dhe mekanizmi ekzistues i koalicioneve zgjedhore si dhe formula e përkatëse për ndarjen e mandateve për koalicionet mbeten kështu siç janë aktualisht në fuqi, a do të ishte legjislacioni përkatës shqiptar në përputhje me angazhimet e OSBE-së?
  3. A mund njëra palë të ndryshojë rregullat themelore që rregullojnë konkurrencën zgjedhore, pasi ka filluar procesi zgjedhor, dhe vetëm 6 muaj para datës së zgjedhjeve? Sa e rëndësishme është qëndrueshmëria e legjislacionit zgjedhor dhe njohja e ligjit nga konkurrentët zgjedhorë përpara zgjedhjeve, për cilësinë dhe besueshmërinë e zgjedhjeve?
  4. Nëse rregullat ndryshohen në mënyrë të njëanshme dhe shumë afër zgjedhjeve për t’i dhënë përparësi partisë që ka bërë ndryshimet, a mund të prishin apo të ndikojnë ndryshime të tilla në parimet e stabilitetit të ligjit, sigurinë ligjore dhe fushën e barabartë të lojës, të cilat janë thelbësore për të respektuar angazhimet e OSBE-së për zgjedhje demokratike?
  5. Duke pasur parasysh pozicionet e ndryshme, cila do të ishte një zgjidhje e pranueshme për të dy palët, në përputhje me angazhimet e OSBE-së dhe standardet e tjera evropiane për zgjedhjet demokratike?

Përgjigja juaj në kohë ndaj çështjeve të mësipërme vlerësohet shumë dhe është shumë e rëndësishme për të adresuar këtë mosmarrëveshje me qëllim gjetjen e një zgjidhjeje të pranueshme që do të krijonte një klimë besimi të qytetarëve në një proces zgjedhor demokratik.

 

Me respekt,

 

ANËTARËT E KËSHILLIT POLITIK

 

SHKARKO APP