“Ndryshimi ka fytyrën e rinisë”/Këlliçi: 5 kushtet që PD-ja do të bëjë për të rikthyer rininë në atdhe

Rinia do të jetë një dorë e fortë e zgjedhjeve të 25 prillit. Kreu i FRPD-së, Belind Këlliçi, thotë të njëjtën gjë, se ndryshimi ka fytyrën e rinisë dhe sipas tij, PD-ja do të punojë në 5 pika që do të rikthejë rininë në atdhe. Këtë të mërkurë, gjatë një bashkëbisedimi me të rinjtë e arsimuar jashtë vendit, së bashku me Lulzim Bashën, ai tha se ”çdokush që e do Shqipërinë duhet t’i bashkohet ndryshimit, dhe jo të pajtohet me realitetin. Të rinjtë e arsimuar jashtë vendit janë segmenti më i arsimuar i shoqërisë shqiptare, prandaj jemi me fat që disa prej tyre kërkojnë të kthehen në Shqipëri. Ne nuk mund të lejojmë që dijet dhe përvoja e tyre profesionale të vihen në shërbim të së keqes. Janë këta të rinj, promotorë të ndryshimit të madh”,-shkruan Këlliçi në facebook.

Postimi i plotë

Bashkëbisedim me të rinjtë e arsimuar jashtë vendit. Çdokush që e do Shqipërinë duhet t’i bashkohet ndryshimit, dhe jo të pajtohet me realitetin. Të rinjtë e arsimuar jashtë vendit janë segmenti më i arsimuar i shoqërisë shqiptare, prandaj jemi me fat që disa prej tyre kërkojnë të kthehen në Shqipëri. Ne nuk mund të lejojmë që dijet dhe përvoja e tyre profesionale të vihen në shërbim të së keqes. Janë këta të rinj, promotorë të ndryshimit të madh. Duhet medoemos t’u krijojmë kushtet e favorshme që të investojnë në Shqipëri.

Po si të nxisim kthimin e tyre në atdhe në këto kushte?

1) Duke luftuar monopolet!

Një grusht njerëz, klientë të qeverisë, kontrollojnë çdo burim përfitimi e kanë akses të pakufizuar në të mirat publike. Një grupim individësh që numërohen me gishtat e dorës fiton çdo tender, leje-ndërtimi, leje-shfrytëzimi të pasurive natyrore. Kësisoj ekziston një kulturë e frenimit të iniciativës. Të rinjtë ndihen të pafuqishëm për të hyrë në treg, për të investuar kursimet e tyre, sepse nuk gjejnë hapësira. Hapësira të cilat krijohen duke luftuar monopolet.

2) Duke rikthyer konkurrencën!

Shteti shqiptar nuk garanton mbrojtje për sipërmarrjet e reja, nuk jep garanci për konkurrencën, madje i frenon në favor të monopoleve. Hapësirat për sipërmarrësit e rinj krijohen me politika shtetërore, duke dhënë hera-herës impulse pozitive në ekonomi. Si dukur, heqja e vizave, anëtarësimi në NATO, bumi në infrastrukturën rrugore, përmirësuan imazhin e Shqipërisë. Krijuan një mjedis motivues për sipërmarrjet ekonomike. Ku u ndërtuan rrugë, u ngritën biznese që nuk përfytyroheshin më parë. Kudo nëpër Shqipëri ka lumenj, liqene, male, që nisën të shfrytëzoheshin nga vendas e të ardhur për qëllime turistike. Kjo falë rrugëve të reja që lehtësuan lëvizjen e qytetarëve dhe të mallrave. Rrugët e reja sollën turizmin në Shqipëri. Fshati nuk paragjykohej më. Shihej si një mundësi reale për agro-turizëm. Fshati ofron bujtina, sepse turistët kanë rrugë që i çojnë aty. Këto impulse na mungojnë.

3) Duke zhvilluar infrastrukturën rrugore!

Qeveria duhet të ndërtojë rrugë kudo ku ka potencial turistik e ku mund të investohet nga të rinjtë. Pa rrugë nuk ka zhvillim. Kemi ende rrugët që u ndërtuan para 7 viteve. Duhet të ndërtojmë rrugë të reja që të vijnë më shumë turistë. Pa rrugë nuk ka sipërmarrje. Të rinjtë duan projekte konkrete infrastrukturore. Duan sinjale nga qeveria.

4) Duke lejuar qarkullimin e elitave me zgjedhje të lira e të ndershme!

Jo më shumë se 2 mandate qeverisëse! Duke përfshirë në vendimarrje politike të rinjtë e mirëarsimuar. Duke nxjerrë nga parlamenti modelin e horrit politik, individit me 5 emra, kriminelit që gjen strehim e mbrojtje politike në parlament. Ligji i Dekriminalizimit që nismoi PD i shërben pikërisht kësaj kauze.

5) Duke mbështetur financiarisht start up-et rinore, në fushat e turizmit, teknologjisë së informacionit, bujqësisë dhe blegtorisë.

Lulzim Basha ka vendosur të rinjtë në thelb të programit të PD për një ekonomi të lirë, reale dhe konkurruese në rajon. PD lindi nga studentët dhe rinia, dhe do të fitojë me ta. Shqipëria nuk do të qëndrojë në vend-numëro sepse të rinjtë e saj mendojnë për të ardhmen.

SHKARKO APP