Në 32-vjetorin e varjes me litar, bashkëshortja e Havzi Nelës: Dua drejtësi, më plagosën zemrën
32 vite më parë, kur në Shqipëri ishte ende regjimi komunist u var në litar një poet. Havzi Nela, poeti disident dhe autori i mijëra vargjeve u vra për shkak të krijimtarisë së tij. Bashkëshortja e tij, Lavdie Nela vendos lule me lot në sy në bustin e martirit të demokracisë, ngritur në qytetin e Kukësit pranë gjimnazit të qytetit që mban emrin e tij. Ajo kërkon hapjen e dosjeve dhe zbardhjen e plotë të saj.
”Më vrau shpirtin, më plagosi zemrën, më nxiu jetën, më prishi lumturinë, më preu ëndrrën, më prishi shpresën, më tmerroi rininë sepse populli i Kukësit meriton të jetojë në liri se sot diktatura është në të gjitha qytetet e Shqipërisë si në vitin ’67 kur u arratisëm”.
Ishte data 10 gusht 1988, ora 02:00 të mëngjesit kur ai mbylli sytë përgjithmonë pasi u ekzekutua me varje në mes të qytetit të Kukësit, pas miratimit përfundimtar i dënimit me vdekje nga anëtarët e Presidiumit të Kuvendit Popullor të drejtuar nga Ramiz Alia.
Havzi Nela, pas një kalvari vuajtjesh dhe internimesh në kampet famëkeqe të komunizmit, u mbyll në burgjet e Burrelit dhe Spaçit e me pas më 10 gusht 1988 u var në qendër të qytetit të Kukësit me akuzën e tradhtisë së lartë ndaj atdheut. Poeti ka qenë gjithmonë kundër diktaturës dhe nuk u pajtua kurrë me rregullat komuniste.
Bashkia e Kukësit në vitin 2018 vendosi bustin e tij dhe rindërtoi shtëpinë muze në Kollovoz, fshatin e lindjes, ndërsa emrin e tij e mban gjimnazi i qytetit.
Lexoni edhe:
https://arkiva.kohajone.com/32-vite-nga-varja-ne-litar-e-havzi-neles-kush-ishte-poeti-qe-nuk-u-pajtua-kurre-me-regjimin-komunist/
https://arkiva.kohajone.com/liria-me-therret-vdekja-nuk-me-tund-presidenti-meta-vargjet-e-havzni-neles-gjemojne-edhe-sot/
https://arkiva.kohajone.com/32-vjetori-i-vrasjes-basha-per-havzi-nelen-e-te-shtypunit-i-tha-cohu/